Kosova A duhet të rindertohet nga pika zero

Termocentrali më i vjetër në Ballkan, “Kosova A” nuk është në plan të riparohet. As nuk do të mbyllet më 2017 siç e thotë vendimi i Qeverisë së Kosovës. Atij do ti mbetet vetëm emri dhe toka ku i ka tani themelet. Gjithçka do të jetë e re thonë zyrtarët e kompanisë gjermane “Bilfinger”, që kanë ofruar rreth 1 miliard euro për projektin e këtij termocentrali.

Lajme

16/08/2015 09:26

“Termocentral i ri në tokë të vjetër”, kështu e përshkruan përfaqësuesi i kompanisë Bilfinger në Kosovë, Avni Kurshumliu, për Gazetën Fjala.

Sipas tij, është e kotë të investohet qoftë edhe një cent në riparimin e makinerisë dhe godinës së stërvjetëruar ku prodhohet energji nga vitet e 60’ta.

Mbajtja e tij gjallë deri në ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” dhe rivitalzimi i tij është synimi kryesor edhe i kreut të Qeverisë, Isa Mustafa për të shmangur rrezikun që vendi të mos mbetet pa rrymë.

Mirëpo, përfaqësues të kompanisë gjermane ‘Bilfinger’, njohës të ekonomisë e drejtues të Bankës Botërore kanë tërhequr vërejtjen se nuk bënë të investohet në riparim të termocentralit “Kosova A”.

Avni Kurshumliu ka thënë se ideja e Qeverisë së Kosovës për të investuar në riparime të Termocentralit “Kosova A” është e kotë dhe duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos humbin para për këtë çështje.

“Nuk bën të bëhet më asnjë cent investim në riparim të Kosovës A. Kjo ide është vetëm për të dhënë para kot dhe për ta korruptuar ndonjë kompani. Nuk ka asnjë të mirë për vendin nëse mendohet në riparim të këtij termocentrali”, ka thënë ai.

Kurshumliu ka treguar për Gazetën Fjala se i kanë dorëzuar tashmë qeverisë projektin e kompanisë gjermane, në të cilin nuk parashihet asnjë riparim por investim komplet i ri.

“Ne e kemi komplet projekti për Kosovën A. Ajo përmban në vete të gjithë elementet dhe kushtet moderne. Nuk ka riparime apo gjera të tilla, janë mjete të reja, pajisje moderne. Thjesht është një termocentral i ri në truall të vjetër”, ka thënë Kurshumliu.

Ai ka bërë të ditur, se ky projekt për rimëkëmbjen e termocentralit që prodhon energji në Kosovë, do të zgjaste 6 vjet.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, këtë javë ka shpalosur tri opsione strategjike lidhur me Termocentralin “Kosova A”, ku fillimisht është parë si orientim që të bëhet dekomisionimi i “Kosovës A” në fund të vitit 2017.

“Mundësia e dytë është që të zgjatet dekomisionimi derisa të hyjë në prodhim kapaciteti i “Kosovës së Re”, dhe mundësia tjetër është që të veprojmë sipas modelit që është ofruar edhe nga firma ‘Bilfinger’, që të rindërtojmë këto kapacitete dhe të sigurojmë prodhim të energjisë elektrike, me një ofertë e cila është dhënë prej ‘Bilfinger’-it, prej 800 megavate me një kosto diku ndërmjet 900 milionë deri në 1 miliard euro të ndërtimit”, ka thënë Mustafa.

Apeli i Bankës Botërore

Nëse Kosova nuk e ndërton Termocentralin e ri, deri në vitin 2030 qytetarët do të paguajnë 72 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike se që paguajnë tani.

Një kilovat orë energji do të kushtoj hiq më pak se 10.3 euro cent, për shkak të rritjes së kostos së energjisë së importuar nga rajoni.
Deri në atë kohë, Kosova do të duhet të importoj mbi 480 milion euro në vit energji elektrike, pasi prodhimi vendës do të mund të mbuloj më pak se 60 për qind të kërkesës në rritje për furnizim, sidomos pas mbylljes së termocentralit Kosova A, transmeton Gazeta Fjala.

Ky është njëri nga tre skenarët, më ekstremi Bankës Botërore për situatën energjetike në vend.
Sipas këtij skenari, do të hapet një boshllëk I madh mes ofertës dhe kërkesës që do të kërkojë një sasi në rritje të importeve, e cila do të duhet të paguhet ose përmes rritjes së kostove ose përmes subvencioneve.

“Zëvendësimi i Termocentralit Kosova A me importe nuk është opsion por edhe sikur të ishte, importet do të sjellin një barrë të rëndë financiare për konsumatorët ose për buxhetin”, thuhet në vlerësimin e Bankës Botërore.