Kosnett: Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë të domosdoshme për të tërhequr investimet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e shoqëruar nga zëvendësministri Getoar Mjeku dhe këshilltarja e lartë Leman Hatashi, priti sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, dhe zyrtarin e ambasadës për çështje ekonomike, Dillon Green.

Lajme

13/04/2021 20:58

Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadorin mbi prioritetet e ministrisë, duke nënvizuar ngritjen e konkurrueshmërisë në industri, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, si dhe tërheqjen e investimeve dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja Hajdari rikujtoi përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal në iniciativa për zhvillim të turizmit dhe sektorëve të tjerë industrialë si dhe ndaj marrëdhënieve të mira tregtare – gjithnjë brenda një kuadri ku Republika e Kosovës trajtohet e barabartë me vendet e rajonit të Evropës Juglindore.

Sipas komunikatës ministrore ambasadori Kosnett shprehu vullnetin e qeverisë amerikane për një etapë të re të marrëdhënieve dypalëshe, që shënon kapërcimin nga dhënia e ndihmës te ndërtimi i partneritetit me Republikën e Kosovës, duke përfshirë investimet nga diaspora.

Ai përgëzoi përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se rajoni ka nevojë për Kosovën dhe se Kosova duhet të ndjekë interesat e saj përmes mekanizmave të ndryshëm të bashkëpunimit. Ambasadori Kosnett rikujtoi se sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë janë të domosdoshme për të tërhequr investimet dhe për të ndërtuar ura të reja me diasporën.

Ministrja Hajdari e falënderoi ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Të dy çmuan marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për të thelluar dhe për të zgjeruar bashkëpunimin.