Kosnett: Qeveria amerikane mbështet Kosovën në luftën kundër koronavirusit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i ka dhënë mbështetje ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në luftën kundër koronavirusit.

Lajme

02/07/2020 18:02

Ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot ka realizuar një takim online me ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e COVID-19 në Kosovë dhe implementimin e masave fiskale në ndihmë të qytetarëve të Kosovës.

Reçica dhe Kosnett janë pajtuar që situata me COVID-19 është vështirësuar në muajin e fundit dhe konsideruan se qytetarët duhet të respektojnë masat e marra nga Qeveria, si dhe të përdorin pajisjet mbrojtëse, me qëllim që të mbrojnë njëri-tjetrin.

Gjithashtu, ministri Reçica e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për prioritetet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe për Reformat të cilat do të vijojnë t’i realizojnë në këtë mandat.

Ndërkohë, ambasadori Kosnett shprehu synimin e qeverisë amerikane që të vazhdohet mbështetja e institucioneve të Kosovës në luftën kundër pandemisë, duke vënë theks për llogaridhënie nga institucionet qeveritare, partitë politike dhe qytetarët e rëndomë që të bëjnë pjesën e tyre.

Në fund, ministri Reçica e ka falënderuar ambasadorin Kosnett për gjithçka që SHBA-të kanë bërë dhe janë duke bërë në konsolidimin e shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/