Korrupsioni si “traditë e liderëve”
Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, përveç komenteve për zhvillimet politike dhe kërkesën e saj për të formuar institucionet, me mesazhin dërguar liderëve, të thënë në shqip: Mos e Dhini punën”!, ka folur të enjten edhe për korrupsionin si “traditë të liderëve kosovarë” dhe përfshirjen e shoqërisë në këtë fenomen mbytës për shtetin.
Lajme
Në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jacobson ka thënë se ka prova të mjaftueshme që politikanët janë të përfshirë në korrupsion, dhe se mendon që fatkeqësisht, korrupsioni në Kosovë është i pranishëm në gjithë shoqërinë e saj.
Ajo ka thënë se edhe mënyra se si njerëzit punësohen, duke u bazuar në preferencat e tyre politike është gabim, është një indikator se në rritjen e korrupsionit ka ndikuar edhe niveli i papunësisë.
“Natyrisht që korrupsioni është problem i madh këto dhe mund të jetë ndoshta pengesa kryesore për qëndrueshmërinë afatgjate ekonomike të Kosovës. Është problem i gjerë, në gjithë shoqërinë”.
“Unë dëgjoj politikanët që flasin për këtë dhe ai bëjnë me gisht ndaj njëri-tjetrit për korrupsion. Por, jo, unë mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ka korrupsion në tërë spektrin politik, por jo vetëm tek politikanët, por janë edhe njerëzit e tjerë të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive”.
“Unë do ta përmend edhe këtë. Çdo votues i cili ka shkuar dhe ka votuar në qershor dhe në vend që të votojë për kandidatin që ka menduar se është më i miri, ka votuar për dikë i cili ia ka premtuar një vend pune. Atëherë, mendoj se ka gabuar sepse korrupsioni është rrugë dykahëshe, ku përfshihen edhe çështjet e prokurimit po ashtu edhe bizneset të cilat ndoshta duket që e kanë ofertën më të mirë, po ashtu përshihet edhe me vendet e punës. Edhe papunësia është faktorë se pse njerëzit përfshihen në këto fenomene”.
Ambasadorja Jacobson ka thënë se korrupsioni nuk luftohet nëse shoqëria në tërësi nuk ndërron mendim për të, dhe të kërkojnë përgjegjësi të gjithë zyrtarëve, që këta të fundit të japin llogari për veprimet e tyre.
“Ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa dëshironi ju, andaj kjo kërkon që tërë shoqëria, votuesit, mediat, të gjithë zyrtarët e zgjedhur të mbahen përgjegjës dhe të japin llogari për veprimet e tyre”.
“Përderisa i gjithë vendi të mos e ndryshoj mendimin e tij rreth korrupsionit, atëherë nuk do të kemi kurrfarë përfitimi dhe kjo është një pengesë e madhe për shoqërinë kosovare”.
Duke folur për akuzat se PDK ka kapur shtetin dhe se ka pasur një qeverisje të korruptuar, ambasadorja Jacboson ka thënë se për korrupsionin në Kosovë nuk mund të fajësohet vetëm një parti.
Ajo ka thënë se në raste korruptive është i përfshirë edhe lideri i Nismës Fatmir Limaj, edhe dhjetra zyrtarë të tjerë të partive tjera, edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ka shumë deklarata nga përfaqësuesit e Bllokut se vendi është kapur nga PDK-ja dhe se vendet e punës u janë dhënë mbështetësve të kësaj partie. Nuk mund ta fajësojmë vetëm PDK-në, sepse në anën tjetër e kemi VLAN-in, ku lideri i Nismës, Fatmir Limaj momentalisht është në gjykim për korrupsion; vet Vetëvendosje i ka dërguar 70 raste të dyshuara kundër LDK-së në Komunë e Prishtinës. Po ashtu kemi pasur edhe vet njerëz të Vetëvendosjes të cilët janë akuzuar për shantazh. Prandaj, mendoj se askush nuk mund ta fajësoj vetëm një parti”, ka thënë Jacobson.