Korriku ishte më vdekjeprurës në Siri sesa në Gaza

Së paku 13 pjesëtarë të policisë siriane janë vrarë të mërkurën kur rebelët islamikë kanë hedhur në erë objektin e policisë në qytetin Aleppo.

Bota

30/07/2014 13:45

Observatoriumi Sirian për të Drejtat e Njeriut më bazë në Londër, ka njoftuar se dy xhihadistë nga grupet islamike kanë hedhur në erë tunelet që ndodheshin përfundi objektit të policisë në këtë qytet.

E njëjta organizatë ka shtuar se pak këtij shpërthimi kanë filluar luftime të ashpra mes forcave të presidentit Bashar al Assad dhe kryengritësve, të cilët jo rrallëherë luftojnë edhe në mes vete.  

Autoritetet siriane kanë njoftuar se sulmi në Aleppo është kryer nga pjesëtarë të fraksionit të Al Qaedas, organizatës së quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit, e cila muajin e kaluar ka futur nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të Sirisë dhe Irakut, duke shpallur edhe kalifatin (shtetin) të quajtur Shteti Islamik.

Observatoriumi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar se vetëm gjatë muajit korrik janë vrarë mbi dy mijë sirianë, shumica e tyre civilë.

Lufta civile në Siri ka filluar më 2011, pas protestave të organizuara nga opozita për të rrëzuar regjimin e Assadit, i cili është në pushtet prej vitit 2000, ndërsa përpara tij pushtetin e kishte i ati, Hafizi, për 29 vjet radhazi.

Perëndimi kishte ofruar ndihmë për opozitën Siriane, por shumë shpejt pasoi tërheqja, pasi grupet radikale islamike të infiltruara në këtë luftë bënë të ditura synimet e tyre për një Siri të Sheriatit.

Që prej tri vjetësh, luftimet mes forcave të Assadit dhe grupeve militante islamike, dhe të këtyre të fundit me njëra-tjetrën, janë vrarë mbi 160 mijë sirianë, shumica dërmuese civilë, ndërkohë që mbi katër milion janë shpërngulur nga shtëpitë e veta, shumica jashtë Sirisë.

Situatën në Lindjen e Mesme e ka rënduar edhe më shumë rifillimi i luftimeve mes trupave izraelite dhe radikalëve islamikë të Hamasit në Rripin e Gazës, ku gjatë korrikut janë vrarë mbi 1200 palestinezë dhe 53 ushtarë të Izraelit.

Luftimet kanë filluar pas vrasjes së tre të rinjve izraelitë, ndërkohë që thirrjet e bashkësisë ndërkomëbatre për një armëpushim të menjëhershëm dhe pakushte kanë shkuar në “vesh të shurdhër”.

Hamasi kërkon armëpushim pa kushte dhe heqjen e bllokadës që Izraeli i bën Gazës në kontakt me botën, ndërkohë që Tel Avivi zyrtare kërkon çarmatosjen e këtij grupi radikal islamikë, i cili e kontrollon Gazën.