Koronavirusi do t’i paraqiste probleme Kosovës edhe në finale të Play Off

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka njoftuar se edhe zyrtarisht me anë të një shkrese i është drejtuar UEFA-s, për mundësinë e shtyrjes së ndeshjes me Kosovën, e paraparë të zhvillohet më 26 mars, në Shkup.

Sport

11/03/2020 15:46

Maqedonia dhe Kosova është paraparë të takohen më 26 mars në Shkup, në ndeshjen gjysmëfinale për Ligën e Kombeve.

“Federata e futbollit të Maqedonisë edhe zyrtarisht me shkresë në UEFA ka kërkuar të shtyhet ndeshja Maqedoni-Kosovë në kuadër të gjysmëfinales së balotazhit për kualifikim në Kampionatin Europian, e caktuar të luhet më 26 mars 2020 në Arenën nacionale “Todor Proeski” në Shkup”, thuhet në njoftim, përcjell lajmi.net.

“Në letrën e drejtuar deri te Shtëpia e futbollit Europian, përveç problemit me tifozët (ndalesë për praninë e publikut nga ana e Qeverisë së vendit), FFM potencon problemin me arritjen e futbollistëve të ekipit përfaqësues në vendin tonë, gjegjësisht izolimin-karantinën eventuale të disa futbollistëve të caktuar që do të vinin nga vendet me nivel të lartë të pranisë së virusit COVID-19”.

Në të njëjtin njoftim, FFM bën të ditur se probleme mund të paraqiten edhe për skuadrën që shkon në finale të Play Off, kur dihet se organizator do të jetë fituesi i sfidës tjetër, mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Bjellorusia dhe Gjeorgjia kanë bërë të ditur se cilado kombëtare që shkon në finale, do të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë hyrjes në cilindo prej dy vendeve.

“Gjithashtu, pas konsultimeve me përfaqësues të Federatave të futbollit të Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, kur dihet se njëra prej dy vendeve do të jetë vendas i duelit final të Ligës së Kombeve më 31 mars ku do të diskutohet kualifikimi në EURO 2020, informatat jozyrtare thonë se është e mundshme që përfaqësuesja që do të sigurojë kualifikim në finale, të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë hyrjes në cilindo prej dy vendeve. Edhe në aspekt të kësaj problematike, FFM gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me dy federatat e vendeve të lartëpërmendura dhe UEFA-në.

Vlen të ceket se Kombëtarja e Kosovës ka dy lojarë që janë në zonat e prekura me koronavirus, Amir Rrahmani dhe Samir Ujkani./Lajmi.net/