Të Infektuar: 1052

Të Shëruar: 820

Të Vdekur: 30

Koronavirusi dhe dhuna në familje, izolimi dhe pasiguria ekonomike faktorët kyq

10:59 | 18 Prill 2020

Rastet e dhunës në familje janë rritur në 3-mujorin e parë të vitit 2020.

Në këtë rritje, mund të ketë ndikuar edhe izolimi si pasojë e masave parandaluese ndaj koronavirusit, shkruan lajmi.net.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në 3 mujorin e parë të këtij  viti ka pasur gjithsej 481 raste të dhunës në familje.

Përmes një komunikate për media policia tha se në muajin janar janë regjistruar 161 raste, në muajin shkurt 151 dhe në mars 169 raste të dhunës në familje.

E për këtë rritje të rasteve të dhunës në familje kanë reaguar edhe ambasadorët e huaj në Kosovë duke bërë apel të luftohet kjo dukuri e të raportohet sa më tepër.

Sociologu Jeton Brajshori thotë se kushtet e izolimit kanë ndikuar negativisht.

“Meqenëse jemi ende shoqëri në tranzicion, nga shoqëria patriarkale drejt një reformimi më modern, vjen një periudhë e tillp si pandemia COVID-19 e cila kushtimisht na rikthen në pikë zero. Kushtet e izolimi e bëjnë kanë efektet e tyre negative. Gjinia mashkullore në kushtet e izolimit ndihet paska më superiore me gjininë e kundërt dhe kontakti i vazhdueshëm i bën që të jenë më të dhunshëm ndaj gruas dhe fëmijëve.”, tha Brajshori për lajmi.net.

Si shkak tjetër ndikues, Brajshori e sheh edhe stresin e izolimit duke thënë se dhuna e ushtruar ndaj ose në prani të fëmijëve ndikon negativisht në psikologjinë e tyre.

“Shkak tjetër i rëndësishëm është stresi i vazhdueshëm që përjeton familja e izoluar. Stresi na shkakton ankthe dhe pasiguri, aktiviteti i mangët fizik bënë që truri të punoj më ngadal duke i bërë të frustruar antarët mbenda familjës dhe duke shkaktuar dhunë , nëse kjo dhunë shkaktohet në prani të fëmijëve, kjo do të ndikoj negativisht në personalitetin e tyre.”, tha Brajshori.

Një arsye tjetër për këtë rritje të rasteve, Brajshori e sheh edhe pasigurinë financiare që përkthehet në pasiguri për të ardhmen.

“Situata financiare është shkaktar tjetër i dhunës në familje, pasi që pasiguria financiare dhe frika nga humbja e vendit të punës, krijon pasiguri pë të ardhmën dhe detyrimisht shkakton dhunë në familje. Pra jo vetëm tek por në të gjithë boten kemi trefishim të rasteve të dhunës në familje në krahasim me rastet para pandemisë.”, tha Brajshori më tutje.

“Barra e dhunës në të shumtën e rasteve i bjen gjinisë femrore, pasi që ato nuk të dalin dhe të vizitojnë familjet e tyre apo shoqërinë, nga ku edhe do ta kishin përkrahjen në raste të tilla. Mendoj se kjo gjendje do të vazhdoj shumë më gjatë edhe pas pandemise, për arsyje se do të këtë krizë të madhe ekonomike globale!”, tha Brajshori në fund.

E studiuesja e psikologjisë, Fatime Rrahmani thotë se kjo dukuri ka qenë prezente edhe para pandemisë.

“Dhuna në familje ka qenë ekzistente edhe para pandemisë. Por tash, është më e rrezikshme dhe e cënueshme për grupet të caktuara shoqërore, pra, gratë dhe fëmijët si grupet që më së shumti janë viktimë e dhunës në familje. Është e rrezikshme për faktin që me izolimin e tyre së bashku me abuzuesin, gjasat janë më të mëdha që të shkaktohen konflikte dhe të përdoret dhuna. Organizatat që kanë fokus të drejtat e grave, tregojnë që këto shifra nuk duhet të merren me absolutizëm, për faktin se dhuna ndaj grave, pak e rrallë raportohet dhe adresohet.”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Sipas saj, ka iniciativa të mira në pakësimin e rasteve të tilla, duke përfshirë edhe linjën telefonike për raportimin e dhunës në familje.

“Po shohim një iniciativë të mirë në këtë drejtim, strehimoret dhe shtëpitë e sigurta kanë publikuar numrat e tyre emergjentë ku gratë dhe fëmijët mund të kenë lirinë e lëvizjes në çdo kohë nëse thërrasin për të shkuar atje. Në anën tjetër, kemi linjën telefonike për raportimin të dhunës në familje, e cila ditëve të fundit po qarkullon shumë më shumë në rrjete sociale, e kësaj iniciative të avokimit u janë bashkuar edhe kryeministri dhe kryeparlamentarja.”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Sipas saj, rimëkëmbja e ekonomisë duke inkuadruar aspektin gjinor do të ishte hap i madh.

Rrahmani gjithashtu konstaton se gjendja ekonomike pas pandemisë do të jetë edhe një problem tjetër i madh në këtë drejtim.

“Ajo çfarë duhet të ndërmerret në këtë periudhë po edhe pas saj, është rimëkëmbja e ekonomisë duke inkuadruar aspektin gjinor. Të rishikohen të gjitha sektorët dhe vendet e punës që gratë punojnë, të mundësohen rikthim i suksesshëm në vendet e punës dhe të garantohen kontrata dhe mirëqenie për të gjithë. Do të jetë e vështirë gjendja ekonomike pas pandemisë, por edhe më e vështirë do të jetë për gratë të cilat pak e fare janë të përfshira në tregun e punës, e për këtë duhet analizë dhe përkushtim i thellë nga akterët relevantë.”, tha Rrahmani në fund.

Në anën tjetër, shoqatat e grave kanë deklaruar se rastet e dhunës në të shumtën e rasteve nuk raportohen fare, gjë që bën të kuptohet se ky numër i rasteve është më i madh se kaq.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, shpreh bindjen se numri i rasteve është më i madh se sa që raportohet.

“Prej datës 20 mars deri me 3 prill, zyra mbrojtëse e viktimave ka pasur 46 raste në përgjithësi, ku 45 prej tyre kanë qenë raste të dhunës në familje dhe janë kërkuar 21 urdhra mbrojtës, që i bie që për dy javë ka pasur gjithë këto raste të dhunës në familje, që i bie që e dimë vetëm një pjesë të rasteve. Por është shqetësues fakti që flitet se ka rritje të rasteve të dhunës në familje, sigurisht kjo nuk ndodh vetëm ndaj grave por mes anëtarëve të familjes në përgjithësi, edhe pse ne jemi të bindur që gratë dhe fëmijët janë më të ekspozuar duke u bazuar në raportet e mëparshme të dhunës në familje”, tha ajo para disa ditësh. /Lajmi.net/