Korniza më e qartë se Kushtetuta

9:59 | 27 Qershor 2014

Foto ilustrim

Korniza Kushtetuese që ishte hartuar në kohën e UNMIK-ut në vitin 2001, po del të jetë më sqaruese sesa Kushtetuta e Kosovës, të paktën në dy pikat që sot kanë shtruar nevojën për interpretimin nga Gjykata Kushtetuese.

Është fjala për mandatarin e krijimit të Qverisë dhe për mënyrën e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Për këtë të fundit dokumenti kornizë precizonte se ky post i takon partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, ndërsa për Qeverinë linte hapësirë që ta krijonte ai që ka shumicën e votave në Kuvend.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk do të mund të bëhej kryetar i Kuvendit nëse sot në fuqi do të ishte Korniza Kushtetuese, e cila më 15 maj të vitit 2001 ishte hartuar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Një dokument prej 30 faqesh, i nënshkruar atëherë nga shefi i UNMIK-ut, Hans Hackeroup, është kujdesur që të sqarojë në detaje çdo hap që çon deri te krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira.

Dokumenti në fjalë nuk ka lënë hapësira për interpretime sikurse Kushtetuta aktuale e cila po nxjerr telashe se si dhe kush e gëzon të drejtën për t’i krijuar institucionet e reja.

Rasti më i freskët është pas zgjedhjeve të 8 qershorit, kur tri partitë opozitare LDK AAK dhe NISMA kanë bërë koalicion dhe pretendojnë ta marrin qeverisjen e vendit. Në këtë mes kanë ndarë edhe pozitat kryesore duke përfshirë edhe atë të kryeparlamentarit. Opozita vlerëson se ky post i takon grupit më të madh parlamentar, ndërsa fituesja e zgjedhjeve PDK, e thotë të kundërtën.

Aktualisht Kushtetuta në këtë mes lë hapësirë për interpretime pasi në nenin 67 thotë se:  “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Kjo punë, shumë qartë ishte e precizuar në Kornizën Kushtetuese, e cila tashmë i takon historisë.