Korenica: Skenari i Bllokut tejet ambicioz dhe i pasigurt

Qëndrimi i koalicionit opozitar LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje se kanë të drejtë që pas dështimit të PDK-së të zgjedhin kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit, se kjo e drejtë PDK-së i konsumohet dhe u kalon atyre, për Fisnik Korenicën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike është një skenar “tejet ambicioz” dhe i “pasigurt” për ta.

Lajme

18/09/2014 20:55

Duke folur për nenet 126 dhe 127 të Kushtetutës, në të cilat Blloku po thirret “se ato i japin të drejtën për të propozuar kandidatin për  Kryeparlamentarin”, Korencia tha për lajmi.net se këto pretendime të Bllokut nuk kanë mbështetje në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Blloku ka gjetur një pikë të aktgjykimit, e cila në fakt thotë se Kuvendi duhet të gjejë zgjidhje për kreun e vet në kuptim të argumentimit të Bllokut, nëse PDK-së i është dhënë njëherë shansi dhe nuk ka pasur mundësi që ajo të merr 61 vota dhe një drejtë e tillë është konsumuar dhe tash kalohet në një fazë tjetër, kur Kuvendi me 2/3 zgjedhë kreun e tij edhe pse ai nuk është propozim i PDK-së”.

Sipas Korenicës, “një skenar i tillë i Bllokut mendoj që është tejet ambicioz në kuptim të vendimit të fundit të Kushtetueses. Nuk është që ka mbështetje të qartë në aktgjykim”.

“Megjithatë, Blloku mund ta marrë rrezikun për ta provuar një skenar të tillë, por që besoj që do të ndikojë që një proces i tillë të rikthehet në Gjykatën Kushtetuese, tek kur Gjykatës t’i emërohet edhe një anëtar dhe që ajo pastaj ta gjykojë atë”.

“Kështu që besoj se është një skenar i pasigurt për Bllokun dhe unë nuk mund të promovojë ide, pavarësisht se nuk pajtohem me aktgjykimin e Kushtetueses, megjithatë nuk mund të promovojë ide që duhet gjetur mënyra që në fakt e devijojnë një gjë që njëherë është përcaktuar në vendimin e Gjykatës”.

Për Korenicën janë dy skenarë përmes të cilaëve do të mund të dilet nga kriza politike dhe të formohen institucionet.

Sipas tij, nuk ekziston ndonjë mundësi tjetër që të përmbyllet seanca konstituive e Kuvendit, pa u miratuar propozimi i PDK-së për kreun e këtij institucioni.

“Pavarësisht se unë nuk pajtohem me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithatë në atë vendim, sa i takon seancës konstituive, një e drejtë e tillë në mënyrë ekskluzive i takon PDK-së dhe nuk ka që të dilet nga seanca konstituive dhe të mbyllet konstituimi i Kuvendit, pa u propozuar një kandidaturë prej PDK-së dhe pa u votuar me 61 vota në Kuvend”.

“Esencialisht mendoj se janë dy skenarë. E para është që Blloku dhe PDK-ja të bien dakord që kreu i Kuvendit të jetë një figurë që nuk vjen nga asnjëra parti, por megjithatë që ka një dakordim të të dyja palëve që ai të zgjidhet në pozitën e tillë. Dhe mundësia e dytë ekziston që Blloku, në fakt, t’ia jep votat PDK-së për ta zgjedhur kreun e Kuvendi dhe tek pasi të përfundojë konstituimi i Qeverisë, eventualisht të rikthehet në shkarkimin e tij dhe zëvendësimin e tij më një figurë që vjen nga Blloku”, tha ai 

“Por duhet të jetë e qartë që në kuptim të aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, nuk ekziston ndonjë mundësi për ta përmbyllur seancën konstituive pa e zgjedhur Kryetarin e Kuvendit mbi propozimin që vjen nga PDK-ja”, tha Korencia për lajmi.net.