Koreja e Veriut teston raketat e reja të saj
Koreja e Veriut ka gjuajtur në det shtatë raketa tokë-ajër, në ditën e fundit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bota
Gjatë ceremonisë së testimit të raketave të reja tokë-ajër, në bregdetin lindor, i pranishëm ishte edhe lideri koreano-verior, Kim Jong-un, njofton BBC, raporton lajmi.net.
Ushtrimet vjetore, të cilat Pheniani i quan provë kundër agresionit të mundshëm, janë gjithmonë një shkas për rritje të tensioneve mes dy koreve.
Koreja e Veriut ka treguar kundërshtimin e saj ndaj stërvitjeve të përbashkëta mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, duke lansuar dy raketa me rreze të shkurtër balistike në fillim të këtij muaji.
Koreja e Jugut, ka thënë se raketat që u lëshuan të premten nga fqinji i tyre besohet të jenë të tipit SA-2 apo SA-3s, të cilat mund të godisin caqet deri në 200 kilometra largësi.
Dy koretë janë në tension të vazhdueshëm që prej përfundimit të konfliktit të vitit 1950-1953, që përfundoi me një armëpushim dhe jo një traktat paqe.
Lansimi i raketave të fundit vjen pasi Veriu dhe Jugu tashmë janë të përfshirë në një mosmarrëveshje mbi pagat e punëtorëve në një zonë industriale që shtrihet përgjatë kufirit dhe menaxhohet nga të dyja shtetet.
Muajin e kaluar, Pheniani njoftoi se do të ngrejë pagën bazë, por Seuli refuzoi këtë duke thënë se çdo rritje e pagave duhet bërë në bashkëpunim dhe dakordim të komitetit të përbashkët mbikëqyrës që menaxhon zonën industriale.
