Koreja e Jugut vaksinon kundër koronavirusit 70 për qind të popullatës

Koreja e Jugut tha të shtunën se ka arritur qëllimin e saj, që të vaksinojë plotësisht kundër koronavirusit 70 për qind të popullatës prej 52 milionë banorësh, duke i hapur rrugë kthimit në normalitet gjatë muajit të ardhshëm.

Bota

23/10/2021 15:16

Koreja e Jugut nisi vaksinimin kundër koronavirusit në fund të muajit shkurt, dhe vaksinimi i 70 për qind të popullatës, apo rreth 36 milionë banorëve, u arrit në orët e vona të së premtes, tha Agjencia për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të këtij shteti.

Nisja e fushatës së vaksinimit në Korenë e Jugut ishte me vështirësi, për shkak të vonesave të dërgesave me vaksina, por ky shtet, pas tejkalimit të këtyre problemeve përshpejtoi fushatën e imunizimit, edhe falë pranimit nga publiku që të vaksinohet.

Ministri i Shëndetësisë, Kwon Deok-cheol tha se qeveria do të nisë t’i rikthehet aktiviteteve normale më 1 nëntor.

“Është e pamundur t’i jepet fund pandemisë duke arritur imunitetin e tufës për shkak të përhapjes së variantit Delta”, tha ai.

“Por, arritja e këtij synimi të vaksinimit është i rëndësishëm sepse do të reduktohen rastet e rënda dhe fatalitetet dhe është një parakusht i nevojshëm për rimëkëmbjen e jetës sonë të përdishme”, tha ai.

Koreja e Jugut ka menaxhuar me mjaft sukses pandeminë dhe nuk ka vendosur masa të ashpra izoluese, siç ka ndodhur në shumë vende të botës, për shkak se ka kryer teste dhe gjurmim të rasteve.