Koordinohen për siguri në shkolla

Ministria e Arsimit ka mbajtur një takim urgjent me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Sindikatës së Arsimit dhe Këshillit të Prindërve për harmonizimin e një plani që të ofrohet më shumë siguri në shkolla.

Lajme

28/01/2014 18:01

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka zhvilluar sot  një takim urgjent me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Sindikatës së Arsimit dhe përfaqësues të Këshillit të Prindërve  të Kosovës, për harmonizimin  e një plani të veprimit në mënyrë që të parandalohet dhuna në shkolla.

Ky takim ka ardhur menjëherë pas vrasjes së një nxënësi të shkollës së mesme “Arkitekti Sinan” në qytetin e Mitrovicës.

Zëvendës Ministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se ky takim është thirrur në mënyrë që të diskutohet për situatën e fundit nëpër shkollat e vendit.

“Duke e parë këtë situatën ne menduam që bashkërisht me këta akterë të takohemi dhe të informohemi për së afërmi edhe nga Policia e Kosovës për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në shkolla që e kemi në Republikën e Kosovës”.

“ Mbi të gjitha së bashku me policinë me këshillin e prindërve  me mësimdhënësit dhe me drejtoritë komunale të arsimit të diskutojmë dhe të harmonizojmë veprimet tona në mënyrë që ta parandalojmë dhunën në të ardhmen që mund të jetë në shkolla”.

“Natyrisht së bashku me Këshillin e Prindërve, Policinë e Kosovës dhe Sindikatën e Mësimdhënësve diskutuam edhe për hartimin e një plani të veprimit të përbashkët në mënyrë që bashkërisht t`i takojmë të gjithë mësimdhënësit, të gjithë prindërit dhe bashkërisht me ta të diskutojmë edhe për mënyrat e parandalimit e kësaj dukurie, e cila po ndodh këtyre ditëve të fundit”.

Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë Operative në Policinë e Kosovës, Reshat Qalaj, ka thënë se Policia e  Kosovës së bashku me Ministrinë e Arsimit është përgjegjëse për sigurinë në shkolla.

“Polica e Kosovës në këtë takim ka ardhur me qëndrimin që të ofrojë shërbime sa më të mira dhe të ndikojë në situatën e sigurisë rreth shkollave, të ofrojë bashkëpunim në koordinimin e aktiviteteve që të kemi një situatë më të mirë brenda shkollave të Republikës së Kosovës”.

“Bashkërisht me Ministrinë e Arsimit me Sindikatën e Arsimit dhe me Këshillin e Prindërve do t`i koordinojmë aktivitetet që ta përmirësojmë ambientin e sigurisë në hapësirat rreth shkollave dhe brenda shkollave.

Bajram Krasniqi, përfaqësues i Këshillit të Prindërve në Republikës së Kosovës është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e fundit nëpër shkolla, duke shpresuar se ky do të jetë akti i fundit.

“Ne bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe me Policinë e Kosovës u dakorduam që ta ngrisim më tepër nivelin e sigurisë dhe ditëve në vazhdim do të mbajmë takime me të gjithë akterët dhe me të gjitha shkollat dhe shpresojmë që ku do të jetë akti i fundit i tillë,i cili ndodh në shkollat e Kosovës”.