Kontrollet lidhur me dyshimet për bombë zhvendosen tek Prokuroria Speciale

Sot Stacioni i Policisë së Kosovës ka marrë një telefonatë kërcënuese për disa mjete shpërthyese të lënë në dy ndërtesa në rrugën ‘Luan Haradinaj’.

Lajme

24/05/2019 13:23

Pas kontrolleve që janë bërë pranë objektit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dominuesit, raporton gazetari i lajmi.net nga vendi i ngjarjes, aktualisht janë zhvendosur pranë objektit të Prokurorisë Speciale.

Informacioni në lidhje me kërcënimin me mjet shpërthyes në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e kishte konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10 :30 kemi pranuar informatën se në dy objekte në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë, ndodhen mjete te dyshuara shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informatës në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat aktualisht janë duke u marr me rastin. Për detaje te tjera ju njoftojmë me kohë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Si pasojë e kërcënimit, nga vendi i ngjarjes zyrtari i policisë së Kosovës, Shkëlzen Xhafaj ka thënë se nga objektet e shënjestruara janë evakuuar banorët.

“Nuk ka person te dyshuar, është një kërcënim që është marrë përmes një telefonate dhe policia e Kosovës. Janë të shenjëstruar dy ndërtesa në rrugën ‘Luan Haradinaj’ dhe i kemi evakuuar të gjithë banoret”, ka thënë Xhafaj.

Deri më tani nuk ka të dyshuar apo të arrestuar.

Rruga ‘Luan Haradinaj’ vazhdon të jetë e mbyllur. /Lajmi.net/