Kontestohen vendimet e Agim Bahtirit për drejtorët e shkollave

Drejtorët e shkollave në Komunën e Mitrovicës thonë se nuk po u vazhdohen mandatet për arsye politike. Në anën tjetër zyrtarë të Komunës thonë se vendimet e tilla nuk kanë të bëjnë me çështjet politike.

Lajme

01/03/2014 20:28

Drejtorë të shkollave të mesme dhe fillore të Mitrovicës, kanë akuzuar Kryetarin e Komunës Agim Bahtiri,  se nuk po ua vazhdon kontratat për motive politike, raporton KTV.

Drejtori i shkollës fillore “Shaban Idrizi”, Mustafë Haziri , pushtetin aktual në Mitrovicë nuk e ka quajtur politik, por analfabet.

“Pas pesë vitesh e gjysmë në këtë shkollë, unë sot jam i larguar nga puna pa asnjë arsyetim dhe jemi diku tre, katër drejtor shkollash me tituj magjistër dhe doktorrant në Universitetin shtetëror, që jemi larguar dhe zëvendësuar me bachelor dhe me njerëz që nuk kanë përvojë të punës”.

Por, në anën tjetër një gjë e tillë është hedhur poshtë nga zyrtarët e kësaj komune.

Safet Kamberi, Nënkryetar në Komunën e Mitrovicës ka thënë se vendimet nuk kanë të bëjnë me çështje politike.

“Absolutisht kjo nuk ka të bëjë me çështje politike dhe ne mbesim prapa kësaj dhe themi se ka pasur përzgjidhje profesionale. Në fund të fundit shumica e drejtorëve që kanë qenë të emëruar nga pushteti i kaluar shumica prej tyre janë rizgjedhur”

“Për ne nuk ka pasur peshë se cilit subjekt i takon por profesionalizimi që është treguar edhe më herët, por edhe gjatë intervistimit. Drejtori eventual që është ndërruar ka qenë në bazë të profesionalizmit të tyre”.