Kontestimi i Ligjit të lojërave të fatit, që një vit pa vendim nga Gjykata Kushtetuese

Në mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vitet e ardhshme, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deriatëhershëm për lojërat e fatit.

Lajme

19/09/2020 17:39

Ligji që ndalon lojërat e fatit, i cili u miratua në mars të vitit 2019 në Kuvendin e Kosovës, është dërguar më 28 gusht 2019 në  Gjykatën Kushtetuese.

Kjo gjykatë ka pranuar një kërkesë nga një ndërmarrje private që konteston Ligjin për lojërat e fatit, shkruan lajmi.net.

Por, autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës nuk ka nxjerrë një aktgjykim përfundimtar në këtë kërkesë as pasi ka kaluar një vit nga parashtresa. Madje, nuk ka një datë se kur do të ketë një vendim final.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë”, tha për lajmi.net, Veton Vula,  drejtor i zyrës për komunikim dhe informim në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten rreth mesnatës ka realizuar një aksion të madh në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, ku u arrestuan 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policor, si dhe u sekuestruan aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale që dyshohet se ishin përdorur në aktivitete kriminale. Po ashtu, në këtë aksion, njoftohet se u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Edhe pas vendimit të qeverisë së vitit 2019, Policia e Kosovës, ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.

Megjithëkëtë, në Kosovë shumë bastore po veprojnë ilegalisht, nëpërmjet operimeve online, por që baza e tyre është nëpër “sport kafeve”, pra të kafe bareve që në ambientet e tyre ofrojnë shikueshmëri të futbollit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, ende janë mbi 300 biznese aktive të lojërave të fatit, ka të tilla që kanë me dhjetëra njësi/lokale, ndërsa figurojnë të shuara rreth 50.

Por në ATK kanë bërë të ditur se nuk ka asnjë biznes të licencuar të lojërave të fatit.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milionë euro nga kjo veprimtari. Ndërsa, 50 milionë euro llogaritet të ketë qenë qarkullimi vjetor. /Lajmi.net/