Konstituimi rrugë për përparim

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, thotë se me zgjidhjen e mbrëmshme është arritur që formimi i Bashkësisë së komunave serbe të jetë në kornizë të statusit neutral.

Lajme

12/01/2014 11:07

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, thotë se konstituimi i katër komunave në pjesën veriore të Kosovës është zgjidhje e cila e hapë rrugën për të lëvizur përpara,

Sipas tij, me zgjidhjen e mbrëmshme është arritur që formimi i Bashkësisë së komunave serbe të jetë në kornizë të statusit neutral.

“Sido që të jetë, kjo është zgjidhje, e cila e hapë rrugën për të shkuar përpara”, deklaroi ai për RTS.

“Duhet të kihet parasysh marrëveshja e Brukselit, e arritur me njohjen e situatës së veçantë në pjesën veriore të Kosovës”.

Më tutje, siç transmeton RFE, Drecun ka vlerësuar se nga Prishtina kërkohet sjellje pozitive dhe konstruktive.

“E njëjta gjë pritet edhe nga përfaqësuesit e popullit serb, të cilët kanë fituar mandat për të luftuar për interesat e qytetarëve, e veçanërisht për popullin serb dhe interesat e Serbisë në Kosovë”.

Katër komuna në pjesën verore të Kosovës, Mitrovica Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë konstituar mbrëmë vonë, ndërsa këshilltarët dhe kryetarët e komunave i kanë nënshkruar deklaratat solemne, të cilat siç kanë thënë këshilltarët, ishin neutrale ndaj statusit të Kosovës, raporton agjencia Beta.