Konjufca shkruan për Qosjen pas ndarjes së tij nga jeta: Ai ka zënë vend si një nga figurat më të rëndësishme të kombit dhe i tillë do mbetet

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Ai ka thënë se kombi shqiptar kudo që jeton, ka marrë lajmin me pikëllim për ndarjen nga jeta të kolosit tonë të fundit intelektual, Rexhep Qosjes. “Për më shumë se gjysmë…

Lajme

23/04/2026 13:57

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.

Ai ka thënë se kombi shqiptar kudo që jeton, ka marrë lajmin me pikëllim për ndarjen nga jeta të kolosit tonë të fundit intelektual, Rexhep Qosjes.

“Për më shumë se gjysmë shekulli Rexhep Qosja ishte zëri i artikuluar me konsistencë i ndergjegjes sonë kombëtare. Shkencëtar, shkrimtar, akademik, profesor, veprimtar dhe kritik – kontributi i tij për studimin e letërsisë shqipe si dhe pasurimi i saj me vepra letrare si autor do të jetojnë gjithmonë. Ai kurrë nuk u mjaftua vetëm me punën shkencore të kabinetit. Gjatë viteve ’80, në atë kohë kur ne ishim “popull i ndaluar”, profesor Qosja u shqua me guximin e tij të palëkundur për demaskimin e hapur të shtypjes së Serbisë mbi popullin shqiptar”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka thënë se gjatë luftës së armatosur, Qosja e kishte të qartë se vetëm mbështetja e UÇK-së na rreshton në anën e duhur të historisë.

“Progresiv me bindje, egalitar në qëndrime, gjithnjë kombëtar në veprime dhe humanist në vlera – Rexhep Qosja ka zënë vend si një nga figurat më të rëndësishme të kombit tonë. I tillë do të kujtohet gjithnjë për veprën dhe veprimtarinë e tij e cila prej sot do te studiohet me përqendrim edhe më të madh. Ngushëllime familjes, miqve e bashkëpunëtorëve! Ngushëllime kombit shqiptar! U prehtë në paqe!”, ka shtuar Konjufca. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: