Konjufca për gjenocidin në Srebrenicë: Serbinë e udhëheq një president – ministër i kryekriminelit Millosheviq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë 26 vjet më parë ku forcat ushtarake serbe vranë e masakruan mbi 8 mijë burra, gra djem e të mitur boshnjakë.

Lajme

11/07/2021 19:55

Konjufca tha se sot Serbinë e udhëheq një president i cili në atë kohë ishte ministër i kryekriminelit Millosheviq dhe se me drejtësinë nuk janë ballafaquar ende mijëra krimnelë serbë të luftës.

Tutje, kreu i Kuvendit të Kosovës ka kujtuar edhe zotimin e presidentit të tanishëm serb, Aleksander Vuçiq i cili thoshte se “për çdo serb të vrarë do t’i vrasim 100 boshnjakë”.

“Por e liga ende jeton  përderisa në Srebrenicë, sikur edhe gjithandej nëpër Kosovë, vazhdojnë të mbeten të hapura shumë varre, në pritje të trupave të të zhdukurve me dhunë që kërkojnë prehje”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

I pari i Kuvendit të Kosovës tha se Serbia ende nuk e pranon dhe nuk është ndëshkuar për gjenocidin e ushtruar me zjarr e hekur në Srebrenicë dhe në Kosovë.