Konjufca: Me Vetëvendosjen do të ketë vetëm një komunë të Mitrovicës

Albin Kurti ka thënë se qyteti i Mitrovicës nën qeverisjen e Vetëvendosjes do të bashkohet,kurse përmes investimeve në “Trepçë” do të zhvillohet Kosova. Glauk Konjufca ka thënë se VV do të kthejë të gjithë qytetarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre në veri.

Lajme

01/06/2014 15:36

Me Lëvizjen Vetëvendosje Mitrovica do të bashkohet dhe do të zhvillohet. Zhvillimi i këtij qyteti do të bëhet përmes rivitalizimit të Trepçës, që do ta bëjë qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto kanë qenë premtimet e kryetarit të kësaj Lëvizje, Albin Kurti, i cili ka qëndruar të dielën në Mitrovicë.

Kurti iu është drejtuar qytetarëve të Mitrovicës duke thënë se barrikada që thotë “Kosova nuk kalon” do të bëhet “Serbia nuk kalon”. Ndërkaq, për gjigantin Trepça ka thënë se nuk është vetëm krenaria e së kaluarës, por edhe shansi për zhvillim të së ardhmes.

Sipas tij, ata që duan ta zhvillojnë Trepçën, duhet ta bashkojnë Mitrovicën.

Duke folur për investimet në gjigantin “Trepça”, Kurti tha se ai është kushti dhe mundësia e vetme që të zhvillohet e gjithë Kosova.

Ai tha se qyteti i Mitrovicës e ka paguar çmimin e çlirimit dhe këtë gjë nuk ja kanë pasur borxh askujt, e qytetarët shqiptarë në veri të qytetit janë më të varfër për shkak të ekonomisë dhe të terrorizuar për shkak të strukturave paralele.

Kurti ka premtuar se pas 8 qershorit, me qeverisjen e Vetëvendosje-s, Mitrovica do të bëhet si Prishtina.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca theksoi zotimin e këtij subjekti për bashkim të kombit e të Mitrovicës, e po ashtu kapjen e vrasësve të Enver Zymberit.

“Jemi mbledhur këtu që ta lidhim besën se do ta bashkojmë Mitrovicën dhe mbarë popullin shqiptar. Me Lëvizjen Vetëvendosje do ta kemi vetëm një komunë të Mitrovicës. Nuk do të ketë barrikada të strukturave paralele, sepse nuk do të ketë struktura paralele”.

Konjufca është zotuar se me Lëvizjen Vetëvendosje do të kthehen të gjithë shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre në veri.