Konjufca me një teori të vetën: Thotë se fëmijët nga mosha 2 vjeçe duhet të mësojnë për barazinë gjinore

Prindërit në familje dhe mësueset në çerdhe duhet të punojnë shumë më tepër me fëmijët, në mënyrë që këta të fundit të edukohen për barazinë gjinore, atë mes prindërve dhe barazinë e gjithë njerëzve në përgjithësi. Kështu ka thënë Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. “Këto konceptet unë mendoj krijohen mes moshës 2 dhe…

Lajme

08/12/2023 21:37

Prindërit në familje dhe mësueset në çerdhe duhet të punojnë shumë më tepër me fëmijët, në mënyrë që këta të fundit të edukohen për barazinë gjinore, atë mes prindërve dhe barazinë e gjithë njerëzve në përgjithësi.

Kështu ka thënë Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Këto konceptet unë mendoj krijohen mes moshës 2 dhe pese vjeçare. Duhet të punohet shumë me fëmijët e asaj moshe, është mosha parashkollore, në cilën duhet të ia shpjegojmë shumë mirë vajzave edhe djemve sa i përket barazisë të prindërve, të grave dhe burrave dmth të njerëzve në përgjithësi”, tha Konjufca në një intervistë me Naile Dema Selmani për emisionin “Prijmë”.

Sipas tij, nëse fëmijët nuk i marrin herët këto mësime, atëherë gjasat janë që shoqëria ku bëjnë pjesë ata mund të ketë telashe dhe të jetë larg nga të qenit emancipuese.

“Nëse i dalloni njerëzit për nga aspekti gjinor dhe më pas i paragjykoni ata sipas përkatësisë gjinore, mbi kapacitetet e tyre, atëherë aty fillon dëmi shumë i madh”, vazhdoi Konjufca. “Kjo vërehet në çdo hap të shoqërisë sonë, nga të ecim në momentin e parë që e qesim hapin e parë në lagje edhe e bëjmë një shëtitje të thjeshtë nëpër sheshet e Kosovës, veshi jonë është mësu tashmë fatkeqësisht me gjuhën e cila përdoret shumë shpesh ndaj grave dhe vajzave, një gjuhë denigruese, një gjuhë paragjykuese”.

Kjo gjuhë, siç thotë kryetari i Kuvendit, vërehet qysh nga komunikacioni deri te institucionet e shtetit.

“Prijmë” është një projekt i përbashkët i Klan Kosova dhe Institutin Kombëtar Demokratik Amerikan (NDI) që i dedikohet përfshirjes së grave në jetën publike dhe sfidave me të cilat ato përballen për ta bërë një gjë të tillë. /Klankosova.tv