Konjufca: Adresa e të gjitha krimeve në Kosovë është Serbia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Lajme

14/04/2021 17:09

Pas këtij takimi, Konjufca tha se adresa e të gjitha krimeve në Kosovë është Serbia, por drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb s’ka ende.

Ai shtoi se është obligim i institucioneve të Kosovës për ta vënë drejtësinë në vend, sepse s’mund të ketë paqe pa pajtim, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë:

Adresa e të gjitha krimeve në Kosovë është Serbia

Sot kam pritur në një takim aktivisten për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, njëherësh dhe deputete e Kuvendit të Kosovës, znj.Vasfie Krasniqi – Goodman.

Me këtë rast vura në pah obligimet shtetërore dhe institucionale ndaj viktimave të dhunës së forcave serbe në Kosovë, si dhe rëndësinë e nxjerrjes para drejtësisë të urdhërdhënësve dhe kryersve të këtij krimi çnjerëzor lufte.

Adresa e të gjitha krimeve në Kosovë është Serbia, por drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb s’ka ende. Është obligim yni institucional e shtetëror për ta vënë drejtësinë në vend. Sepse, nuk mund të ketë paqe e pajtim pa drejtësi.

Më herët gjatë ditës, në një pritje të znj. Krasniqi në Presidencë, presidentja Vjosa Osmani – Sadriu në konsultim me znj. Krasniqi ka propozuar që 14 prilli të shënohet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, propozim ky që do ta ketë përkrahjen time si Kryetar i Kuvendit të Kosovës./Lajmi.net/