Kongresistet amerikane: Mos bini në kurthet e retorikës së Trumpit!

Katër kongresistet amerikane, që u sulmuan nga presidenti Donald Trump me deklarata që u cilësuan gjerësisht si raciste, iu përgjigjen atij në një konferencë për media.

Bota

16/07/2019 14:02

Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib i bënë thirrje popullit amerikan që të mos bie në kurthet e retorikës së presidentit.

Trump tha se katër gratë – që të gjitha qytetare amerikane – “mund të largohen” nga SHBA-ja.

Ai i mbrojti komentet e tij dhe i mohoi akuzat për racizëm.

Presidenti nuk i përmendi në mënyrë eksplicite gratë në postimet e tij në Twitter, por konteksti e bëri të qartë lidhjen me katër kongresistet demokrate.

Ai shkaktoi zemërim pasi tha se gratë “fillimisht kanë ardhur nga vende, qeveritë e të cilave janë një katastrofë totale” dhe se ato duhet të shkojnë në shtëpi.

Tri nga gratë kanë lindur në SHBA, ndërsa Omar ka lindur në Somali, por ka shkuar në SHBA si fëmijë.

Në konferencën për media, ato thanë se duan të rivendosin vëmendjen te politikat e presidentit.

“Kjo është thjesht një përçarje dhe një histeri nga kaosi i tmerrshëm dhe kultura e korruptuar e kësaj administrate”, tha Pressley.

Omar dhe Tlaib i përsëritën thirrjet e tyre që Trump të nxirret në votëbesim.

Pressley tha se presidenti nuk do t’ia dalë që “t’i margjinalizojë dhe hesht” ato.

“Skuadra jonë përfshin çdo person të angazhuar në ndërtimin e një bote më të barabartë dhe më të drejtë”, tha Pressley, transmeton REL.

Të katër gratë këmbëngulën që kujdesi shëndetësor, dhuna me armë dhe, në veçanti, ndalimet e migrantëve në kufirin amerikan me Meksikën duhet të jenë në fokus.

“Sytë e historisë na shikojnë”, tha Omar, duke kritikuar “bastisjet për dëbime masive” të migrantëve të paligjshëm dhe, siç tha, “abuzimet e të drejtave të njeriut në kufi”.

Omar tha se “sulmi racist i Trumpit” kundër katër grave me ngjyrë është “agjendë e nacionalistëve të bardhë” dhe shtoi se presidenti “nuk do të donte asgjë më shumë sesa të ndante vendin”.

Tlaib tha se sulmi i presidentit është “thjesht një vazhdimësi e librit të tij racist dhe ksenofobik”.

E gjithë kjo ka nisur të premten, kur Ocasio-Cortez, Tlaib dhe Pressley kanë dëshmuar para një komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për kushtet në qendrat e ndalimit të migrantëve që ato i kanë vizituar.

Demokratët e kanë kritikuar ashpër qasjen e administratës Trump ndaj kontrollit kufitar, duke thënë se ajo po i mban migrantët në kushte çnjerëzore.

Trump këmbëngul se kufiri po përballet me krizë dhe i mbron veprimet e agjentëve të tij kufitarë.

Pas dëshmive të kongresisteve, Trump tha se kushtet në qendrat e migrantëve kanë “komente të mrekullueshme”.

Ai pastaj ka bërë një sërë postimesh në Twitter për katër kongresistet, ndërsa në një konferencë për media jashtë Shtëpisë së Bardhë ka thënë:

“Nëse nuk jeni të lumtur, nëse ankoheni gjatë gjithë kohës, mund të largoheni”.

Demokratët i kanë dënuar deklaratat e presidentit dhe atyre u janë bashkuar edhe disa republikanë.