Konfliktet në Siri e Irak, mbi 13 milionë të zhvendosur

Rreth 13 milionë e 600 mijë njerëz, ekuivalent me popullsinë e Londrës, janë zhvendosur nga konfliktet në Siri dhe Irak, dhe shumë janë pa ushqim apo strehë në prag të dimrit, deklaron agjencia e OKB-së për refugjatët.  

Bota

12/11/2014 09:19

Amin Awad, drejtor i UNHCR-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, tha se bota po bëhet e pandjeshme ndaj nevojave të refugjatëve.

“Kur ne flasim për 1 milion njerëz të zhvendosur në një periudhë pak më shumë se dy muaj ose 500 mijë brenda një nate të vetme, bota hesht”, tha Awad para gazetarëve në Gjenevë, raporton TCH.

Sipas shifrave të publikuara nga UNHCR, 7.2 milionë janë zhvendosur brenda Sirisë, ndërsa 3.3 milionë Sirinë kanë dalë jashtë vendit. Në Irak, vetëm gjatë këtij viti, janë zhvendosur 1.9 milionë  njerëz si pasojë e luftimeve fisnore dhe e përparimit të Shtetit Islamik. Gjithashtu edhe rreth 1 milion të tjerë janë zhvendosur më parë në Irak.

Shumica e refugjatëve sirianë kanë shkuar në Liban, Jordani, Irak dhe në Turqi. “Shtetet e tjera, sidomos europiane, por edhe më gjerë, duhet të hapin kufijtë e tyre dhe të ndajnë barrën”, ka shtuar Awad.