Konfiskohen 50 mijë euro para të gatshme në Vërmicë
Doganierët e Kosovës konfiskojnë 50 mijë euro para të gatshme nga një shtetas shqiptar në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë. Paratë ishin të fshehura nën ulësen e vozitësit dhe bartësi i tyre kishte refuzuar t’i deklaronte paraprakisht.
Lajme
Mbrëmë rreth orës 20:00, zyrtarët e Doganave të Kosovës kanë konfiskuar një sasi të hollash prej 50 mijë euro nga një vozitës i makinës në pikë e kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri në Vërmicë.
Ai kishte fshehur paratë nën ulësen e vozitësit dhe kur ishte pyetur nga doganierët, kishte thënë se nuk ka asgjë për të deklaruar.
“Pasi që është ndaluar për kontroll nga zyrtarët doganorë, drejtuesi i automjetit është përgjigjur se nuk ka asgjë për të deklaruar. Kontrolli i ushtruar ka arritur të zbulojë një sasi të mjeteve monetare nën ulësen e vozitësit, pas këtij zbulimi është ushtruar kontroll detal në veturë”.
“Nisur nga fakti se personi në fjalë nuk ka deklaruar mjetet monetare konform ligjit që kërkon nga secili pasagjer që hyn apo del nga territori i Republikës së Kosovës, të deklarojë mjetet monetare mbi 10.000,00 euro tek zyrtari doganor, Dogana ka shqiptuar gjobën në vlerën prej12,500.00 euro që paraqet 25% e mjeteve totale të zbuluara si të pa deklaruara. Kurse pjesa tjetër e mjeteve monetare (€37,500) janë konfiskuar, pasi që udhëtari nuk ka poseduar fakte mbi prejardhjen e mjeteve monetare”.
“Njësia e hetimeve të Doganës së Kosovës ka hapur rast dhe ka vazhduar më tej hetimin e qarkullimit të dyshimtë të parave”, thuhet në komunikatën e Doganave të Kosovës.