Konfirmohet aktakuza për marrje ryshfeti ndaj 14 policëve të jugut të Mitrovicës

Gjykata Themelore e Mitrovicës, me aktvendim e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndaj 14 zyrtarëve policorë në Njësinë e Trafikut Rajonal në jug të Mitrovicës, të cilët ngarkohen me veprën penale “marrja e ryshfetit”.

Lajme

27/04/2018 16:21

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore e Mitrovicës, i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e 14 zyrtarëve policorë Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërkaq, sipas këtij aktvendimi, kjo gjykatë e ka aprovuar si të bazuar kundërshtimin e paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit, Destan Rrecaj, avokati Agim Rrecaj, me ç’rast është hudhur aktakuza ndaj tij dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Lidhur me hudhjen e aktakuzës, ndaj të akuzuarit Destan Rrecaj, në këtë aktvendim thuhet se pasi që gjykata i ka shqyrtuar gjitha shkresat e lëndës dhe provat që i përmban kjo aktakuzë, ka vlerësuar se kundërshtimi i paraqitur me kërkesë për hudhjen e aktakuzës është plotësisht i bazuar, nga të cilat arsye, sipas aktvendimit, gjykata ka aprovuar në tërësi këtë kundërshtim dhe ka vendosur të hedhë aktakuzën dhe të pushojë procedurën penale për të akuzuarin Rrecaj, në mungesë të provave.

Vlen të theksohet se aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë e datës 17 maj 2017,  është e ngritur ndaj 35 zyrtarëve policorë, Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq.

Mirëpo, më pas gjykata me aktvendimin e datës 3 korrik 2017, ka veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

15 zyrtarët policorë në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 2 tetor 2017, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që ngarkohen.

Kurse, më 3 tetor 2017, edhe 20 zyrtarët policorë në Njësinë e Trafikut Rajonal në Veri të Mitrovicës, janë deklaruar të pafajshëm për akuzën që u vihet në barrë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i akuzon policët Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme  nga kundërvajtësit në trafik.

Sipas aktakuzës, shumat e parave i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit për Komunikacionin Rrugor.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.