Koncesionim i shpunësimeve

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se në vazhdën e privatizimit dhe koncensionit të ndërmarrjeve publike po e pësojnë qytetarët kosovarë. Ata thonë se Kompania LIMAK po bie punëtorë nga Turqia dhe atyre po u jepen paga nga buxheti kosovar.

Lajme

05/03/2014 20:40

Privatizimi në Kosovë i ndërmarrjeve publike po shprehet me pasoja. Rasti i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” dhe pasojat në të dëshmon më mirë se ç’do të thotë vërtet privatizmi apo koncensioni dhe çka i pret në të ardhmen edhe punëtorët e KEDS’it e të PTK’së në rast privatizimi.

Kështu mendon Lëvizja Vetëvendosje, e cila, përmes një komunikate për media, u ka dalë në mbrojtje punëtorëve kosovarë të përjashtuar nga puna ditë më parë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

“Ditë më parë, 70 punëtorë të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” u larguan nga puna pa kurrfarë arsye. Ndër të larguarit ka edhe gra shtatzëna, e edhe familjarë të të pagjeturve e të dëshmorëve të luftës. Në vend të tyre Kompania “Limak” po sjell punëtorë nga Turqia dhe po punëson të afërm të pushtetarëve, si dhe të afërm të drejtuesve të institucioneve që e mbikëqyrin zbatimin e kontratës për partneritet publik e privat”.

“Ata kanë thënë se pronari i LIMAK po e bën të kundërtën e premtimit që do ta rrisë numrin e punëtorëve, kështu, ai po e zvogëlon në mënyrë masive atë dhe po e i shkel të drejtat e punëtorëve duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës.”

“Lëvizja VETËVENDOSJE! konstaton se kjo është dhe një humbje ekonomike për Kosovën, sepse ata që po punësohen janë shtetas të Turqisë, ndërkaq po paguhen me paratë e Kosovës. Për më tepër kjo kompani po i shmanget detyrimeve nga kontrata, duke ndërmarrë një sërë veprimesh që të ulin fitimin për të mos të dhënë para qeverisë”.

“Përmes këtyre veprimeve Kompania LIMAK jo vetëm që po i largon njerëzit nga puna, por po shmanget dhe mundësia për të pasur kontroll të rregullt në procedura në mënyrë që të veprojnë lirshëm në shërbim të fitimit të tyre e në dëm të përfitimit të buxhetit të vendit dhe zbatimit të rregullave. Ne kërkojmë nga Inspektorati i Punës të ndërhyjë për t’u siguruar nëse është shkelur Ligji i punës dhe në ç’masë janë dëmtuar punëtorët nga këto shkelje”.

“Po ashtu kërkojmë dhe nga Agjencia e Antikorrupsionit që ta hulumtojë këtë çështje dhe ta adresojë tek organet e drejtësisë në Kosovë, sepse kontrata e Partneritetit Publiko-Privat nuk ka organ mbikëqyrës, të njëjtin funksion e kryen njësia e partneritetit publiko-privat, që paraqet konflikt interesi”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje në komunikatën e saj për media.