Komunës së Mytaher Haskukës nuk i ec tenderi që ia përgatiti një kompanie të caktuar

Vetëm Komuna e Prishtinës i afrohet Komunës së Prizrenit për shkeljet në tenderë që ka bërë në vitin 2020.

Lajme

07/01/2021 18:13

Komuna që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka, nuk po ndalet së manipuluari tenderët.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e obligoi këtë komunë që të bëjë disa ndryshime në dosjen e tenderit për furnizim me kontejner ngase prokurimi kishte bërë shkelje në specifikat tenderuese duke e favorizuar një kompani të caktuar që të fitojë, shkruan lajmi.net.

Duke parë që ky tender nuk po i ecë sipas planit, më datën 21.12.2020, Komuna e Prizrenit e ka anuluar në tërësi procesin e prokurimit “Furnizimi me kontejner dhe shporta të mbeturinave”.

Në arsyetimin e anulimit, kjo komunë ka thënë se ofertat nuk kanë arritur të hapën gjatë vitit 2020 dhe meqë tenderi nuk është i planifikuar në vitin 2021 do të anulohet.

“Njësia e kërkesës me datë 18 dhjetorë 2020 ka parashtruar kërkesë që ky projekt të anulohet sepse ofertat nuk kanë arrijë të hapen në vitin fiskal 2020 kur edhe ka qen i planifikuar të realizohet si projekt, ndërsa fare nuk është i planifikuar si projekt në vitin fiskal 2021, andaj edhe anulohet si projekt në tërësi”, thuhet në arsyetimin e anulimit të këtij tenderi.

Arsyetimi i Komunës është i paqëndrueshëm dhe i kundërligjshëm për disa arsye. E para se nuk e ka përfillur vendimin e OSHP-së që të bëjë ndryshimet në dosje të tenderit dhe të zgjasë afatin për aplikim të kompanive dhe se me hapjen e kësaj thirrje, komuna kishte zotuar mjetet e nevojshme të cilat kanë mundur të shfrytëzohen edhe në vitin 2021.

Ndonëse Komuna ka shkruar se po e anulon procesin e prokurimit edhe me arsyetimin se nuk kanë arritur të hapën ofertat në vitin fiskal 2020, kjo është e paqëndrueshme ngase ka pasur edhe 9 ditë kohë nga data e anulimit që të hapën ofertat brenda vitit.

Komuna e Prizrenit nuk ka dashur të jap asnjë sqarim në interesimin e lajmi.net lidhur më anulimin e këtij procesi të prokurimit.

Lajmi.net, ditë më parë ka raportuar se Komuna e Prizrenit kishte vënë kritere të kundërligjshme në thirrjen për këtë tender.

Më të parë njoftimin për kontratë, kishin garuar disa kompani. Kompania “Pastor Kosova” dhe “Agrium”, si kompani garuese ishin ankuar tek komuna duke konsideruar se ishin vendosur kritere diskriminuese në dosje të tenderit dhe kishin kërkuar që të bëhen përmirësime. Komuna kishte hedhur poshtë ankesat e tyre dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vet të “njoftimit për kontratë”. Më pas njëra nga kompanitë ishte ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së, më datë 12 dhjetor 2020 kishte konfirmuar ankesën dhe kishte obliguar komunën që të t’i bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit në pajtim me dispozitat ligjore dhe të zgjasë afatin për ofertat duke vepruar konform ligjit.

“Mos respektimi i këtij vendimi, detyron Panelin shqyrtues që konfom dispozitave ligjore të LPP-së, të ndërmarr masa ndaj Autoritetit Kontraktues, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së është publikuar në ueb-faqen e këtij institucioni, por të njëjtin OSHP-ja e ka dërguar në adresën e lajmi.net pas kërkesës së redaksisë.

OSHP-ja nuk ka dhënë përgjigje lidhur më atë se çka ka ndërmarrë ndaj komunës, pasi kjo e fundit nuk e ka zbatuar vendimin e Panelit që të bëjë korrigjimet e nevojshme, por e ka anuluar në tërësi procesin e prokurimit.

Megjithëkëtë, OSHP-ja gjatë gjykimit të lëndës ankuese të një kompanie, kishte gjetur shumë shkelje tek vendosja e kritereve nga ana e Komunës.

Një ndër pikat më të forta të favorizimit të një kompanie dhe diskriminimit të tjerave, ka qenë edhe ajo ku Paneli shqyrtues ka konstatuar se, Komuna kishte vendosur aso kritere që favorizonte vetëm dy prodhues të kontejnerëve në Evropë e që nga ta furnizohej një kompani në Kosovë; prodhuesin nga Serbia –kompaninë “Plastik Gogic” dhe prodhuesin nga Austria “Europlast”. Kjo pasi komuna kishte vendosur aso specifika teknike që i posedonin vetëm këto dy kompani. Pra, OSHP-ja konsideronte se ky kriter paraqiste favorizim ose diskriminim.

Në mesin e shumë vërejtjeve, OSHP-ja kishte kërkuar që të hiqet edhe kriteri ku kufizonte kompanitë që të kenë depo jo më larg se pesë kilometra larg Prizrenit. Ky kriter i cili favorizonte një kompani të caktuar dhe diskriminonte të tjerat, konsiderohej nga Paneli i panevojshëm dhe ishte kërkuar të hiqet për shkak se krijonte kufizime dhe diskriminim në garë.

Në fund, Paneli shqyrtues kishte ardhur në përfundim se “autoriteti kontraktues ka caktuar kërkesa diskriminuese apo favorizuese për operator ekonomik të caktuar në kundërshtim me nenin 7 dhe 28 të LPP-së. Andaj obligohet që të ndryshojë kërkesat për të cilat është dhënë përgjigje nga Paneli shqyrtues”.

Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender ka qenë 120 mijë euro./Lajmi.net/