Komunën qytetarit
Shpend Ahmeti ka vazhduar fushatën me tenda nëpër lagje. Në këtë mënyrë po ua prezanton programin qytetarëve të Prishtinës.
Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka gjetur një mënyrë tjetër në përpjekje për t`i bindur qytetarët për programin e tij.
Ahmeti e sheh të suksesshme “Fushatën me tenda nëpër lagje” duke qenë prezent në çdo cep të qytetit gjatë gjithë javës.
Ai thotë se qytetarët po japin emrat e mbiemrat duke treguar gatishmërinë për ndryshime.
“Këto tenda që janë vendosur njëra në shesh e për çdo ditë nga dy-tri tenda nëpër lagje të ndryshme kanë pasur për synim që të qëndrojnë gjatë gjithë ditës në lagje ku qytetarëve të cilët kalojnë aty janë të interesuar t`ia u prezantojmë programin tonë për Prishtinën”.
“I marrim pyetjet, i marrim brengat e qytetarëve, dhe po ashtu një numër i madh i qytetarëve kanë shprehur përkrahjen për fushatën tonë duke e dhënë edhe emrin edhe mbiemrin, nënshkrimin, numrin e telefonit në mënyrë që edhe ata të tregojnë se edhe ata janë pjesë e ndryshimit në Prishtinë”.
Ahmeti gjithashtu kërkoi nga komuna që të mos ta keqpërdorë kohën e fushatës duke lëshuar leje për ndërtim.
“Ju bëj apel edhe atyre por edhe komunës që mos ta keqpërdorin kohën e fushatës në mënyrë që të bëjnë leje të tilla urbanistike të cilat po e prishin edhe më tutje aspektin e jetueshmërisë në këtë qytet”.
Deri sa po prononcohej për media Ahmeti u pyet nga një shitës ambulant i librave se çka do të bëjë për ta pasi që komuna nuk po e sheh të favorshëm sheshin për të shitur libra.
Ahmeti i është përgjigjur se kjo çështje është pjesë e programit të tij dhe ka porositur komunën që të merret me shkelësit e mëdhenj të ligjit e jo me shitësit ambulantë.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se me Lëvizjen Vetëvendosje Komuna e Prishtinës do t`u takojë atyre që realisht u takon.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje secila komunë në Kosovë e veçanërisht Komuna e Prishtinës do t`u takojë atyre që realisht u takon por që realisht e kanë marrë prej tyre e që janë qytetarët e Kosovës”.
“Po të bëhemi bashkë natyrisht se Prishtina do të ndryshojë por edhe Kosova do të ndryshojë dhe mënyra e vetme se si mund të ndryshojmë këto të dyja është kur angazhohemi bashkë me qytetarin”.