Komunat të gatshme të ofrojnë shërbime për marrjen e terapisë parenterale për pacientët me COVID-19

Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë janë të gatshme që të ofrojnë shërbime për marrjen e terapisë parenterale për pacientët me COVID-19, shërbim ky që nuk është i paraparë në konceptin e mjekësisë familjare.

Lajme

06/08/2020 12:23

Me qëllim të shqyrtimit të gjendjes së pandemisë COVID-19 në Komunat e Kosovës, Kolegjiumi i Shëndetësisë diskutoi sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë angazhimit në teren dhe problematikat e hasura në luftimin e pandemisë.

Kjo erdhi pasi që shkak i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, komunat po ballafaqohen me kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve për marrjen e terapisë parenterale tek qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

“Për shkak të rritjes së numrit të infektuarve me Covid-19, Komunat po ballafaqohen me kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve për marrjen e terapisë parenterale tek Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Edhe pse nuk parashihet në konceptin e mjekësisë familjare, Komunat angazhohen në tejkalimin e kësaj situate ku edhe kanë marrë përgjegjësinë në ofrimin e kësaj terapie në të mirë të pacientëve”, thuhen në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Tutje tregohet se edhe përkundër ngarkesave dhe kapaciteteve të limituara në dhënien e kësaj terapie, komunat kanë ndërmarrë nisma në përcaktimin e një qendre të veçantë e cila do të ishte në funksion të trajtimit dhe në ofrimin e kësaj terapie.

“ Një nismë e tillë është ndërmarrë pas shtimit të vizitave nga pacientë me covid-19, e të cilët referohen nga niveli sekondar apo terciar shëndetësor. Po ashtu me këtë synim Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë kanë formuar ekipe për vizita familjare në ofrimin e kësaj terapie në mënyrë që pacientët të mos shëtitën në qendra të ndryshme nga identifikimi i rasteve deri tek trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve parenterale. Njëra ndër problematikat e shfaqura ishte edhe ajo e mungesës së oksigjenit në institucionet shëndetësore, andaj një shqetësim i tillë duhet të adresohet dhe të merret seriozisht nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i përket bashkëpunimit me nivelin qendror, ajo mbetet hallka kryesore gjatë këshillimit dhe ndërmarrjes së masave dhe vendimeve në lidhje me masat parandaluese qe do të merren në të ardhmen”, thuhet tutje në komunikatë.

Me këtë rast Kryesuesi i Kolegjiumit të Shëndetësisë z. Bujar Gashi premtoi se shumë shpejt do t’i adresoj shqetësimet dhe kërkesat e Komunave të Kosovës tek Ministria e Shëndetësisë me qëllim të koordinimit më të mirë me nivelin qendror për vendimet dhe masat e ndërmarra në menaxhimin e pandemisë.