Komunat serbe në Veri nuk përfillin Qeverinë, miratojnë dyfishin e buxhetit

Kuvendi i Mitrovicës së veriut ka miratuar buxhetin për vitin 2016 prej 10.654.622 euro, dyfish më shumë sesa parashikon Ministria e Financave (4.970.832 euro). Njësoj kanë vepruar edhe Zveçani 5.724.630 euro dhe Zubin Potoku 6.707.000, dyfishi më shumë se që parashikon MF.

Lajme

03/10/2015 08:27

Kuvendet e tri komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Zveçan dhe Zubin Potok kanë miratuar propozim-buxhetin për vitin 2016, jo bazuar në qarkoren e Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, mbi ndarjen e buxhetit komunave të Kosovës për vitin 2016, por “buxhetin e ndryshuar dhe të plotësuar për vitin 2016, sipas nevojave”.

Me buxhetin e ndryshuar dhe të hartuar sipas dëshirave të qeverive lokale të komunave veriore, nuk janë pajtuar këshilltarët shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së veriut, ndërsa ai boshnjak ka abstenuar, si dhe ata në Kuvendin e Zveçanit, ndërkaq me buxhetin e ndryshuar dhe të plotësuar, në kundërshtim me qarkoren e Ministrisë së Financave, në Kuvendin e Zubin Potokut janë pajtuar edhe këshilltarët shqiptarë./Zëri/