Komunat e veriut drejt zgjedhjeve

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, kanë refuzuar t’i miratojnë projektbuxhetet sipas qarkores së Ministrisë së Financave, të cilat bashkërisht kanë kërkuar 67.5 milionë euro buxhet, ndërsa u është lejuar vetëm 8.5 milionë euro.

Lajme

02/03/2015 08:23

Sipas MAPL-së, e diela ishte dita e fundit kur komunat veriore kanë qenë të obliguara ta dorëzojnë buxhetin e miratuar në bazë të qarkores së MF-së, në të kundërtën merren masa të jashtëzakonshme, duke mos përjashtuar as zgjedhjet e reja.

Duke shpërfillur kërkesën e MAPL-së, komunat veriore kanë porositur Prishtinën, se projektbuxhetet janë miratuar në shtatorin e vitit të kaluar dhe se ato me kohë i janë dorëzuar Prishtinës, duke vlerësuar tutje, se tërheqja e vërejtjes nga Prishtina është tentim për destabilizimin e proceseve politike në Kosovë dhe i dialogut të Brukselit.

“Është e qartë se për këtë buxhet duhet të ketë zgjidhje politike dhe të vendoset në nivelin më të lartë, e pastaj t’i dorëzohet Kuvendit për shqyrtim”, ka thënë Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit të Mitrovicës. /Zëri/