Komuna padit Hib Petrolin, nafta doli të jetë vaj për djegie
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se rezultatet e ardhura nga Italia kanë dëshmuar se nafta që përdorej për ngrohje nëpër shkolla në fakt ishte vaj për djegie. Komuna do të padis Hib Petrolin për mashtrim ekonomik.

Lajme
Mostrat e dërguara nga rezervuarët e shkollave fillore, kanë dëshmuar se shkollat në Prishtinë nuk janë ngrohur me naftë por me vaj për djegie.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se rezultatet e analizave të ardhura nga Italia kanë treguar për një nivel të lartë të sulfurit. Ai tha se vaji për djegie ka edhe një veçanti, që digjet më shpejt se nafta.
“Ardhja e analizave nga laboratori jashtë vendit për të konfirmuar për atë që kemi thënë se në rezervuarët e shkollave tona në faktikisht nuk kemi pasur naftë”.
“Mostrat i kemi dërguar në laborortin Watson Grey, i cili është laborator i certifikuar në BE”.
“Kjo mostër është marr natyrisht si pjesë e hetimit të Prokurorisë të Kosovës, me ç’rast për çdo mostër që e ka marr Prokuroria një mostër na e ka lënë edhe ne, në Komunë”.
“Në Itali është konfirmuar se për këtë mostër, kjo nuk është naftë por është vaj për djegie, me sasi të sulfurit 819 ppm, e dini se 10 ppm është kufiri ligjor në Kosovë dhe BE”.
“Vaji i cili përdoret për djegie, ai edhe djeget më shpejt, siç e ka konfirmuar edhe laboratori, pika e djegies së kësaj substance që ne e kemi dërguar është nën 20 gradë celsius, ndërsa me ligj duhet të jetë 56 gradë celsius, që do të thotë se edhe shpenzohet më shpejt, mirëpo as nuk janë marr masat e sigurisë që kjo naftë nuk është e parapara të përdoret në shkolla”.
Kryetari Ahmeti tha se sot Komuna e Prishtinës ka vendosur që të ndërpres kontratën për furnizim me naftë për shkolla, me kompaninë Hib Petrol, si dhe do të inicojë padi për mashtrim ekonomik për këtë kompani.
“Unë kam komunikuar me MTI dhe kam pyetur se kush ka licencë në Kosovë që të shes vaj për djegie. Më 13 shkurt 2014, Ministri më është përgjigjur, thotë : “Për licencë për import të vajrave gazore të cilat përdoren për ngrohje sipas nenit 9, nuk ka aplikuar asnjë kompani në Kosovë”.
“Si pasojë e kësaj, Komuna e Prishtinës sot vendos ta ndërprejë kontratën me kompaninë Hib Petrol dhe do t’i marr të gjitha masat ligjore, padi në gjyq për mashtrim ekonomik, sepse çmimi i këtij vaji është diku 30% më i lirë se çmimi i naftës”.
“Këtu ka ndodh një mashtrim dhe dëmtim i Komunës së Prishtinës, për një kontratë e cila e ka vlerën 1.5 milionë euro në vit. Kjo do të thotë se ne jemi mashtruar për vlerat që arrijnë më shumë se gjysmë milioni”.
Ahmeti tregoi se kjo padi për “Hib Petrolin” do të jetë padi civile, sepse Prokuroria Themelore e Prishtinës, tashmë është duke hetuar këtë rast.
Ai shtoi se kërkon përgjegjësi nga institucionet e tjera, si Qeveria, MTI dhe MSH, për shkak se ato deri më tani nuk kanë reaguar.
“Padi civile, sepse Prokuroria është veçse duke e hetuar këtë rast. Nuk do të komentoj mbi atë se çka po bën Prokuroria. Ne ajo na i ka sjellë të gjitha mostrat e të gjitha shkollave por na ka kërkuar që ato të mos i bëjmë publike sepse janë pjesë e hetimeve”.
“Ne nuk mund të nisim procedurë pos civiles sepse ne e kemi dërguar në Prokurori, ajo ka filluar hetimet. Dhe kjo është maksimumi që ne mund të bëjmë në aspektin e ëprgjegjësisë penale. Tash e kemi aspektin e mbrojtjes civile të interesit tonë ekonomik si komunë”.
“Kërkojmë përgjegjësi nga MTI, nga Qeveria se si mund të ndodh që asnjë hetim nuk nuk është filluar nga ministria e cila është përgjegjëse për licencim, në momentin kur e kupton se një kompani shet produkt që nuk ka licencë, pse nuk e ka hetuar”.
“Kërkojmë përgjegjësi edhe nga institucionet shëndetësore të cilët absolutisht nuk e kanë marr me seriozitetin më të lartë rrezikut që i kanoset shëndetit të fëmijëve, dhe qytetarëve”.
Shpend Ahmeti thotë se Prokuroria dyshon se ky vaj, me të cilin janë furnizuar shkollat, dyshohet se vjen si kontrabandë nga Serbia përmes Veriut të vendit.
“Prokuroria themelore e Prishtinës thotë se tashmë i ka informatat se ky vaj është kontrabanduar nga Serbia, dhe se ky vaj po vjen nga veriu i Kosovës”, tha Kryetari Shpend Ahmeti gjatë një konference për shtyp.