Komuna nënshkruan kontratën 1.5 milionë euro për kompaninë “Pastrimi” – nga këta të fundit u tha se komuna ua ka borxh 2.7 milionë euro
Punëtorë të shumtë të ndërmarrjes “Pastrimi” kanë filluar sot grevën para objektit të Komunës së Prishtinës. Pas protestës që patën javën e kaluar, punëtorët janë mbledhur sot para komunës ku kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Po ashtu rreth rrugës janë ndaluar edhe rreth 20 kamionë. E derisa kjo grevë është duke u zhvilluar…

Lajme
Punëtorë të shumtë të ndërmarrjes “Pastrimi” kanë filluar sot grevën para objektit të Komunës së Prishtinës.
Pas protestës që patën javën e kaluar, punëtorët janë mbledhur sot para komunës ku kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Po ashtu rreth rrugës janë ndaluar edhe rreth 20 kamionë.
E derisa kjo grevë është duke u zhvilluar Komuna e Prishtinës ka lëshuar njoftim ku thuhet se nga komuna është nënshkruar kontrata 1.5 milionë euro për vazhdimin e punës së KRM “Pastrimi”.
Ndërsa nga “Pastrimi” ditë më parë u bë e ditur se Komuna e Prishtinës u ka borxh 2.7 milionë euro dhe se nuk po ua siguron as pagat, as naftën për kamionë dhe as kushtet e tjera të nevojshme për punë.
“Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë. Siç ju kemi njoftuar, Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet”,thuhet në njoftim.
Gjithashtu nga komuna u tha se presin nënshkrimin e kësaj kontrate nga “Pastrimi”.
“Presim nënshkrimin e kësaj kontrate edhe nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, me qëllim që punëtorët t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në Kryeqytet”./Lajmi.net/