Komuna ende pa parcelë për Spitalin e Prishtinës

Spitali i Prishtinës pritet të jetë gati brenda tri vitesh,  por ende s’është përcaktuar lokacioni.

Lajme

15/05/2019 19:04

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, gjatë muajit prill kanë nënshkruar marrëveshje për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Se deri ku kanë shkuar procedurat për ndërtimin e këtij spitali lajmi.net ka kontaktuar me Ministrin e Shëndetësisë si dhe Komunën e Prishtinës.

Zëdhënësja e Komunë së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë për lajmi.net se ende nuk ka përfunduar studimi i fizibilitetit, prandaj siç thotë ajo, pas përfundimit të procedurave do të caktohet edhe lokacioni.

“Nuk mundemi me gjet një vend të përshtateshe pa e ditë çfarë përmasa ka me pas spitali, njëherë duhet që të bëhet një raport fizibiliteti nga ana e ministrisë. Pas të dhënave që dalin nga studimi i fizibilitetit do të dimë çfarë kapaciteti ka edhe në bazë të saj ne e caktojmë edhe lokacionin”, ka thënë Mullafazliu.

Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se ende nuk ka diçka konkrete.

Kujtojmë, se për studimin e fizibilitetit Ministria e Administratës Publike ka ndarë 500 mijë euro ku i njëjti pritet të përfundoj brenda disa muajve.

Ndërkohë, për vitet 2019-2021, brenda së cilës periudhë pritet të përfundoj ndërtimi i këtij spitali, për realizimin e tij të ndarë janë 7 milionë euro.

Megjithatë, koston dhe kapacitetin e tij do të përcaktoj studimi i fizibilitetit që do të udhëhiqet nga Ministria e Adminsitratës Publike.

Projekti sipas këtij Memorandumi do të realizohet në katër faza: 1. Realizimi i Studimit të Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve; 2. Themelimi i Spitalit të përgjithshëm të kryeqytetit, ashtu siç përcaktohet me Ligijn për Kryeqytetin; 3. Hartimi i projektit detal për ndërtimin në bazë të Studimit; 4. Ndërtimi i objektit në bazë të projektit detal si dhe mbikëqyrja profesionale e fazës së ndërtimit. /Lajmi.net/