Komuna e Prizrenit ia përgatit një kompanie të caktuar tenderin për furnizim me kontejner

Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka, gjatë këtij viti është duke bërë shkelje të mëdha në tender.

Lajme

22/11/2020 14:11

“Furnizim me kontejner dhe shporta të mbeturinave”. Kështu quhet tenderi i cili para pak ditëve është hapur nga Komuna e Prizrenit e për të cilin ka dyshime që po manipulohet nga zyrtarët komunal.

Për këtë aktivitet të prokurimit, “njoftimi për kontratë” është bërë me datën 20.10.2020. Sipas ueb-faqes së KRPP-së, ofertat nuk janë hapur akoma, ndërsa kriter kryesor për kontratë ka qenë “çmimi më i ulët”.

Lajmi.net ka mësuar se kanë ofertuar disa kompani.

Sipas dokumenteve të publikuara në ueb-faqen e KRPP-së dhe ankesat që kanë bërë dy kompani, shihet se komuna ka përgatitur dosjen e tenderit në atë mënyrë që diskriminon një kompani dhe favorizon një tjetër. Ndërkohë, ligji i prokurimit publik e sanksionon një gjë të tillë, pasi sipas këtij ligji, autoritet kontraktuese duhet të vendosin kritere gjithëpërfshirëse dhe jo kufizuese.

Siç ka parë lajmi.net, gjatë hartimit të dosjes së tenderit dhe specifikave teknike, komuna ka vendosur disa kritere diskriminuese që çojnë në kufizimin e konkurrencës së lirë.

Se disa prej kritereve janë vendosur duke kufizuar pjesëmarrjen e barabartë, kanë hedhur dyshime edhe dy kompani garuese për këtë tender, të cilat janë ankuar tek Komuna që t’i përmirësoj ato. Por, komuna ka hedhur poshtë ankesat, duke përdorur gjuhë edhe arrogante “ne jemi ata që vendosim kritere, jo ju, andaj ato do të mbesin ashtu”.

Vlera e parashikuar e kontratës është 120 mijë euro.

Por, cilat janë pikat që komuna ka përdorur diskriminim ose favorizim?

Tek kapacitet teknike dhe profesionale është kërkuar: Lista e të punësuarve e paraqitur në ATK në tre muajit e fundit bashkë me përshkrimin e shkurtër të vendit të punës, përshkrimi i shkurtër i vendit të punës për stafin e rregullt, për stafin e ri kontratat e bashkangjitura për këtë projekt.

Kjo kërkesë është diskriminuese për shumë kompani, pasi ky aktivitet i prokurimit ka të bëjë me një kontratë për furnizim ku furnizimi është i përnjëhershëm, i cili mund të kryhet brenda ditës. Pra, pa asnjë qëllim të implementimit të këtij projekti, komuna ka kërkuar që për këtë furnizim të bëhet “përshkrimi i vendit të punës dhe dëshmi që këta punëtor të jenë të lajmëruar tre muaj më herët në ATK”. Madje, kompanitë në ankesën e tyre tek komuna, kanë shkruar edhe pyetje lidhur më këtë pikë: “Si do veprohet po që se do të aplikojë një kompani e huaja e cila nuk e ka fare të regjistruar biznesin në Kosovë”.

Pra, kjo kërkesë e komunës vetëm sa do ta rriste koston operative të kompanive tenderuese, të cilët më pas atë e zbatojnë në çmimin e tenderit.

Nga ana tjetër, kjo kontratë ka të bëjë me furnizim, ndërsa në “kushtet e veçanta të kontratës”, nuk ka përshkrim apo shënim mbi formën e realizmit të kontratës. Askund nuk thuhet se çfarë punësh do të kryhen, ndonëse AK ka kërkuar që numri i punëtorëve të jetë katër (4) të lajmëruar tre muaj më parë në ATK.

Kompanitë garuese kanë shfaqur pakënaqësi, ndaj komunës edhe në këtë pikë dhe kanë shtruar përgjigje për komunën.”Me që kjo është kontratë për furnizim dhe nuk ka askund ndonjë program të veçantë të kryerjes së furnizimit, si do ta vlerësojë AK një kompani p.sh, nga Shqipëria e cila ka punëtor, por që nuk i ka të lajmëruar në ATK”.

Pra, bazuar në llojin e kontratës, kjo kërkesë ka qenë e panevojshme dhe diskriminuese, sidomos për kompanitë që merren vetëm më furnizim, ato që janë hapur jo më larg se tre muaj e që janë në konzorcium, apo që vijnë nga ndonjë shtet tjetër.

Kërkesë tjetër diskriminuese nga dosja e tenderit është edhe te pika ku thuhet: “OE pjesëmarrës në këtë tender duhet të na dëshmoj se ka në pronësi ose posedon së paku një mjet transportues deri në 5 tonë bartje me të cilin do t’i bartë pajisjet e kërkuara”.

Produktet furnizuese, zakonisht vijnë nga një vend tjetër, pasi që nuk ka prodhues të tyre në Kosovë. Andaj, kësisoj ata do të rendoheshin që një herë artikujt të shkarkohen nga maunat transportuese dhe më pas të liferohen tek Komuna përmes kamionit 5 tonësh. Pra, komuna e ka kufizuar peshën, ani pse kjo është kontratë furnizimesh dhe se produktet e tilla vijnë nga jashtë Kosovës.

Po ashtu, kërkesë tjetër diskriminuese e vendosur në dosjen e tenderit që mund t’i jetë përshtatur vetëm një operatori është edhe kërkesa: “OE i propozuar për kontratë duhet të sjellë dëshmi se ka në pronësi ose shfrytëzim një pikë në komunën e Prizrenit nga e cila do të bëhet shpërndarja e këtyre kontejnerëve”.

Pra, komuna ka bërë përjashtime ndaj shumë kompanive që nuk kanë depo në Prizren, ani pse kjo mund të bëhet direkt nga kamionët brenda periudhës që komuna ka paraparë furnizim. Edhe kjo kërkesë do ta rriste koston e projektit. Ndërkohë, kompanitë që bëjnë këso furnizimesh kanë depot e tyre nëpër komunat ku ato operojnë dhe gjatë furnizimit një kërkesë e tillë do të mund të realizohej brenda një ore ku ato i kanë pikat. Bile në asnjë vend komuna nuk tregon për formën e liferimit.

Kompanitë garuese, kanë shprehur pakënaqësi të mëdha edhe tek pika “Për tu trajtuar oferta e juaj në mënyrë të barabartë me ofertat tjera jeni të obliguar që t’i sillni mostrat e kërkuara në adresa e caktuar jo më vonë se 15 minuta para hapjes së ofertës”.

Kompanitë garuese për këtë kanë kërkuar që të hiqet kjo pikë, ani pse komuna ua ka hedhur poshtë. “Kërkesa që të sillen mostrat e tre kontejnerëve të bërllokut me gabarite mbi 1m3 është e panevojshme dhe e ngritë shumë koston e projektit”. Paramendoni sa kushton të sillet një mostër e tillë nga Italia, Austria, apo Greqia. Krejt kjo kosto do ti ngarkohet AK-së në çmimin tenderues”.

Sipas rregullave të prokurimit publik, mostrat kërkohen zakonisht për produktet që nuk kanë katalogë apo vizatime teknike të cilave duhet t’u përmbahen kompanitë. Ndërkohë, këto produkte posedojnë certifikatën e prodhimit, formën standarde të dukjes që është treguar përmes vizatimeve teknike, posedon peshën, trashësinë e materialit përbërës. Pra elementet që janë të nevojshme gjatë pranimit teknik.

“Të gjithë tenderët që vijnë nga Evropa posedojnë standardin EN840, të cilin e ka cekur edhe AK te specifikat teknike dhe posedojnë certifikimin ISO 1461, andaj pse nevojitet mostra kur Komuna nuk ka asnjë laborator apo mjetë të matë kualitetin e saj”, thuhet në një ankesë të një operatori ekonomik drejtuar Komunës. Andaj, dyshimet janë që një kompani e caktuar i posedon mostrat e tilla në stok.

Dyshimet janë edhe më të mëdha, ngase AK-ja ka kërkuar me emër markën e produktit. Ka kërkuar produkt të caktuar “PG&GP”, që tregon se këtë produkt ia kanë përgatitur një kompanie të caktuar. Kjo është e ndalur që të përdoret tek specifikat teknike.

Neni 27 i LPP-se dhe 18 i RROUPP-së tonë se: “Është e ndaluar përgatitja e dosjes së tenderit në një mënyrë që favorizon ose diskriminon kundër një ose më shumë operatorëve ekonomik potencial”.

Lajmi.net ka mësuar se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), ia ka tërhequr vërejtjen AK-Komuna e Prizrenit lidhur më këtë tender, duke i kërkuar që të merren për bazë kresat e Ligjit të Prokurimit Publik për mosdiskriminim të kompanive. Por, deri më tani Komuna e Prizrenit akoma nuk e ka bërë asnjë ndryshim në dosjen e tenderit.

Kompanitë garuese kanë konsideruar se edhe përshkrimin teknik që komuna ua ka bërë kontejnerëve që po kërkon të blejë i është përshtatur vetëm një kompanie që është e vendosur me bazë në Prizren.

“Nga specifikat teknike shihet qartë se Komuna askund nuk ka përdorur mundësinë e minimum-maksimumit si rëndom apo interval tek dimensionet. Këto dimensione as vetë standardi përkatës EN-840 mbi bazën e të cilit edhe prodhohen këta artikuj nuk i kufizon me dimensione kaq strikte, e po ashtu as ne vendin tonë nuk ka ndonjë standard që kërkon diçka të tillë. Secili prodhues i këtyre produkteve i ka dimensionet e veta që janë shumë të përafërta më këto që AK ka vendosur tek specifikat teknike, por asnjë prodhues tjetër nuk i ka saktë ashtu siç i ka kërkuar AK, sepse vet standardi i EN-840 e lejon një gjë të tillë”, thuhej në pakënaqësinë e njërës prej kompanive garuese.

Sipas kësaj kompanie, mosdhënia e mundësisë me minimum Xmm, maksimum Ymm, përafërsisht XX kg, apo përafërsisht Zmm trashësi, apo vendosja e intervaleve p.sh: lartësi nga X mm deri në Ymm, e kufizon absolutisht konkurrencën dhe i jep mundësi vetëm një prodhuesi të caktuar për ofertim në këtë tender.

“Kjo ndikon shumë negativisht edhe tek çmimi i tenderit, pasi që kur prodhuesi i tillë e kupton se në këtë tender mund të konkurrojë vetëm një OE, që ai e ka autorizuar, atëherë vjen edhe deri tek rritja e kostos për blerjen e tyre. Sipas hulumtimeve që kemi bërë në internet shihet se këto karakteristika mund t’i plotësoj vetëm një prodhues i caktuar, e sipas burimeve tjera që ne posedojmë, atë prodhues e përfaqëson vetëm një OE nga Prizreni”, thuhet mes tjerash në ankesën e kompanisë garuese.

Komuna po kërkon që të blejë kontejner të tri llojeve, 100 kontejnerë nga çeliku i galvanizuar, 1.1 m3, 150 copë kontejnerë plastik, 1.1 dhe 3000 copë kontejnerë plastik, 120 litra. /Lajmi.net/