Komuna e Prishtinës nuk flet nëse do ia marr tokën Fatmir Dalladakut të cilën ia nënshkroi Sami Hamiti
Kuvendi i Komunës së Prishtinës e kishte mbështetur propozimin e Kryshefit Ekzekutiv, Sami Hamiti në vitin 2003 që një pronë të komunës së Prishtinës t’ia jep në shfrytëzim afatgjatë, Faton Dalladakut.

Lajme
Ndërtimi i një spitali brenda ambienteve të QKUK-së, marrja e lejes dhe nënshkrimi i kontratës për të, përfshinë në fajde në shifra milionëshe një grup prej disa personave. Biznesmeni Faton Dalladaku së bashku me Rrahim Hashimin e Ekrem Likën kishin arritur marrëveshje për të hollat që do ti duheshin për ndërtimin e spitali në Prishtinë.
Afera Spitali” ka filluar në vitin 2003, kur edhe është caktuar lokacioni nga Kuvendi komunal i Prishtinës për ndërtimin e këtij spitali privat në Prishtinë. Ndërsa, në vitin 2005, Kuvendi i Komunës së Prishtinës mori vendim për dhënien në shfrytëzim/qiradhënie të tokës për ndërtimin e objektit për Qëndron Kardiale në Prishtinë me pronar Faton Dalladaku, shkruan lajmi.net.
Toka iu dha për 10 vjet në shfrytëzim Dalladakut, dhe vitet llogariteshin pas marrjes së lejes së ndërtimit, e cila ishte lëshuar në vitin 2007. Pas skadimit të afatit ishte paraparë mundësia e vazhdimit të kontratës.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Prishtinës nese është interesuar që ta kthejë nën autoritet pronën e saj pas skadimit të kontratës, por kjo Komunë nuk ka kthyer përgjigje. Madje, nuk dihet nëse Komuna e ka vazhduar këtë kontratë edhe më tutje.
Neni 2 i kontratës ka paraparë kohëzgjatjen e shfrytëzimit/qiradhënies. “Palët kontraktuese janë pajtuar që kohëzgjatja e shfrytëzimit/qiradhënies të palujtshmërisë do të jetë 10 vite. Afati i kohëzgjatjes së shfrytëzimit /qiradhënies do të fillojë të llogaritet nga data që autoritetet kompetente komunale do të japin leje ndërtimi për objektin e Qendrës kardiokirurgjike. Palët kontraktuese janë pajtuar që pas skadimit të afatit prej 10 viteve të shfrytëzimit të qirasë, do të vazhdohet afati i shfrytëzimit, nën kushtet e njëjta që i parasheh kjo kontratë, nëse palët me shkrim, 6 muaj para përfundimit të aftit të parë 10 vjeçar, nuk parashohin qëllimin e tyre që kontrata të mos vazhdohet”.
Sado që kontrata quhet dhënia në shfrytëzim –qiradhënie, dhe shfrytëzuesit i referohet si qiramarrës, Komuna nuk e kishte paraparë në kontratë që të bëhet ndonjë pagesë financiare si rendomë për tokën e dhënë. Por, komuna i kishte caktuar atij disa kushte të tjera. Komuna kishte paparë që të bëjë vetë një listë të pacienteve dhe spitali të kryej shërbime falas për ta.
“Qiramarrësi merr për obligim që: Në vitin e parë të punës, për çdo dy muaj të kryej sipas kërkesës së Qiradhënies nga 2 operacione pa pagesë, ndërsa pas vitit të parë, për çdo javë të kryej nga një operacion pa pagesë, gjithnjë sipas listës së qiradhënësit. Qiradhënësi merr për obligim që prej ditës së fillimit të punës, për çdo ditë pune të kryej nga një kontroll pa pagesë, sipas listës paraprake që e merr nga Qiradhënësi. Qiramarrësi garanton se çmimi i shërbimeve kardiake invazive dhe jo invazive si dhe i atyre kardio kirurgjike, për qytetarët e Kosovës, në Qëndron Kardiokirurgjie, do të jetë për 5 për qind më i ulët se çmimet për shërbime të ngjashme në klinikat simotra në regjion”.
Si adresa komunikuese e palëve, në kontratë ishte shënuar direkt emri dhe adresa e ish Kryeshefit Ekzekutiv të Prishtinës, Sami Hamiti dhe qiramarrësit, Fatmir Dalladaku.
Pas kësaj, në vitin 2006, Komuna kishte lëshuar lejen urbanistike dhe në vitin 2007 leja e ndërtimit, e cila ishte firmosur nga drejtori i atëhershëm i Urbanizmit, Lulzim Nixha, në kohën e të cilit kishte filluar ‘lulëzimi’ i ndërtesave pa leje, pastaj për të marr një hov të madh në mandatin e parë qeverisës të kryetarit Isa Mustafa. Leja ishte lëshuar në qeverisjen e ish kryetarit, Ismet Beqiri.
Në vitin 2007, Kryeministri i atëhershëm Agim Çeku kishte marrë vendim që të pushonin punimet e këtij spitali dhe kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta ndryshonte vendimin.
Në vitin 2008, disa ditë para ndërrimit të Qeverisë, ishte bërë përpjeke nga LDK, duke vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i nënshkruar nga Ismet Beqiri dhe duke i dhënë mundësi krijimit të “Aferës Spitali” dhe anashkalimit të vendimit të kryeministrit të atëhershëm Agim Çeku.
Po në këtë vit, pasi i ishte ndalur licencimi nga ana e Qeverisë, Dalladaku i ishte drejtuar me dy letra të ngjashme ish kryeministrit Hashim Thaçi, ku i kërkonte mirëkuptim për licencimin e Spitalit.
Licencimi i këtij spitali do të rishfaqet në vitin 2015, kur drejtimin e Qeverisë së Kosovës e merr LDK, me kryeministër Isa Mustafën. Legjislacioni në fuqi në atë kohë theksonte qartë se objektet spitalore private duhet të jenë në largësi së paku 1.5 kilometra nga spitalet publike. Por në vitin 2015 është ndryshuar legjislacioni, dhe largohet ky kriter, duke dhënë mundësinë që të vendoset spitali privat në oborrin e QKUK-së, projekt i nisur në Komunën e Prishtinës, në vitin 2003.
Po në vitin 2015, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kishte reaguar publikisht, duke thënë se hapja e spitalit privat afër institucioneve publike shëndetësore, e dëmton sistemin publik shëndetësor, si dhe pacientët. “Ne e kemi ngritur si çështje që ai spital nuk duhet të hapet. Nuk kemi asgjë kundër Spitalit Amerikan, por nëse fillojnë të hapen spitalet private brenda institucioneve publike shëndetësore, atëherë nuk do të kemi sistem publik shëndetësor. Është e qartë që qytetarët do të dëmtohen dhe rrjedhimisht ai spital edhe do ta varfëronte këtë popull edhe ashtu të varfër”, kishte thënë Blerim Syla, kryetari i FSSH-së.
Ndërkaq, Lëvizja “Vetëvendosje” ne një paraqitje publike kishte kundërshtuar ndërtimin dhe funksionalizimin e spitalit privat, konkretisht “Spitalit Amerikan”, brenda territorit të QKUK-së. Sipas tyre, një spital i tillë i ndërtuar brenda territorit të QKUK-së bën shkelje administrative me Rregulloren e Sistemit Publik me të cilën parashihet se asnjë operator privat nuk guxon të ndërtohet 1.5 kilometra në afërsi të sektorit publik.
Ish sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për medie kishte thënë se sektori i shëndetësisë është duke u përfshirë në skandale të shumta korruptive dhe se ky sistem gjithnjë e më shumë është duke u dëmtuar.
“Sektori i shëndetësisë është duke u ballafaquar me shumë probleme dhe skandale korruptive. Ky sistem nuk është duke shërbyer në interesin e qytetarëve, por po shkon gjithnjë në interes personal të politikanëve dhe biznesmenëve tanë. Ndërtimi i spitalit privat është në kundërshtim të plotë me Sistemin Publik, në të cilën parashihet se asnjë operator privat nuk guxon të ndërtohet në afërsi të shërbimeve publike, prej 1.5 km. E spitali privat është ndërtuar dhe po pritet të funksionalitet brenda territorit të QKUK-së” kishte thënë ai .
Ndërkaq, javën e kaluar janë publikuar video, ku qartësisht shihen disa persona – pjesë e një grupi kriminal – të cilët janë incizuar duke kryer vepra penale, të dënueshme sipas ligjit ky pikë kryesore referuese është ‘Afera Spitali’. /Lajmi.net/