Komuna e Prishtinës mbulon shpenzimet e funeraleve deri në shumën prej 171 euro

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka marrë vendim që të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës të iu paguhen shpenzimet e funeralit të familjarëve të ngushtë deri në shumën prej 171 euro.

Lajme

30/04/2015 14:20

Me këtë vendim përcaktohet se këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë familjarët e ngushtë të personave që kanë ndërruar jetë.

“Për ta realizuar këtë, banorët e Komunës së Prishtinës duhet të jenë të pajisur me faturën për shërbimet e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Hortikultura’, faturën nga bashkësia fetare përmes së cilës janë kryer ritet fetare për personin e ndjerë (në rast se i/e ndjeri/a i/e është nënshtruar ritualeve fetare), si dhe faturën nga kompania përkatëse që është shfrytëzuar për transportimin e të ndjerit/ës”, thuhet në njoftim të Komunës së Prishtinës.

Të gjithë personat e interesuar për shfrytëzimin e kësaj të drejte nuk duhet ta kalojnë periudhën kohore prej 30 ditëve duke llogaritur nga data e vdekjes së personit.

Gjithashtu, familjarët e ngushtë duhet të kenë me vete edhe ekstraktin e lindjes dhe certifikatën e vdekjes të personit që ka ndërruar jetë, një dokument identifikimi dhe numrin e xhirollogarisë bankare.