Komuna e Prishtinës largon tarracat e lokaleve të vendosur në hapësira publike

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës, e asistuar edhe nga Policia, ndërmori një aksion në qendër të qytetit, me ç‘rast, të gjitha lokaleve që janë duke e shfrytëzuar hapësirën publike me vendosjen e tarracave dhe për këtë shfrytëzim nuk i kanë kryer obligimet ndaj Komunës, ua konfiskoi tavolinat dhe karriget nga kjo hapësirë.

Lajme

15/09/2015 13:04

Aksioni filloi në rrugën “Rexhep Luci” dhe do të vazhdojë gjatë ditës edhe në sheshin “Nëna Terezë, për t’u zgjeruar gjatë ditëve në vijim në të gjitha lagjet e Prishtinës, tek lokalet të cilat po e shfrytëzojnë paligjshëm hapësirën publike

Komuna e Prishtinës me anë të një komunikate u ka bëtë të ditur të gjithë pronarëve të bizneseve se askush nuk do të mund ta merr lejen e shfrytëzimit të këtyre hapësirave për sezonin dimëror dhe as për vitin e ardhshëm, derisa nuk i shlyen obligimet e këtij viti.

“Komuna e Prishtinës edhe një herë iu bën ftesë të gjitha bizneseve që t’i shlyejnë obligimet e tyre ndaj Komunës, në mënyrë që të shmangen situata të tilla. Përndryshe, Komuna është e obliguar të veprojë konform ligjit për t’i mbledhur borxhet që qytetarët dhe bizneset i detyrohen”, thuhet në komunikatë.