Komuna e Prishtinës dhuron gjashtë kamionë për kompaninë Pastrimi
Komuna e Prishtinës ka dorëzuar sot gjashtë nga tetë kamionët e rinj të blerë për ndërmarrjen publike “Pastrimi”, një investim që kap vlerën e 1.4 milionë euro. Sipas komunës, kjo po bëhet me qëllim të përmirësimit të gjendjes së menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet – që prej kohësh ka qenë problematike për shkak të pajisjeve…
Lajme
Komuna e Prishtinës ka dorëzuar sot gjashtë nga tetë kamionët e rinj të blerë për ndërmarrjen publike “Pastrimi”, një investim që kap vlerën e 1.4 milionë euro.
Sipas komunës, kjo po bëhet me qëllim të përmirësimit të gjendjes së menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet – që prej kohësh ka qenë problematike për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së mjeteve adekuate.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e situatës në qytet.
“Ne kemi pasur një marrëveshje me ndërmarrjen “Pastrimi” dhe e kemi nënshkruar para disa ditëve për t’i dhuruar ndërmarrjes “Pastrimi”, gjashtë prej tetë kamionëve të cilat Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka blerë, për t’i dedikuar për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet. Kështu që sot ka ndodhur edhe pranim-dorëzimi fizik, sot janë dorëzuar çelësat por edhe kamionët dhe jemi shumë optimistë dhe shpresojmë se kjo sado pak do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes që e kemi skajshmërish të keqe për momentin në Prishtinë, si pasojë e një mekanizmi të vjetruar por edhe të mangët të ndërmarrjes “Pastrimi”, është një investim 1.4 milion me të cilat Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka bërë, krejt kjo me qëllim të përmirësimit të gjendjes në kryeqytet”, tha ai.
Brestovci gjithashtu njoftoi për shpërndarjen e kontejnerëve të rinj që së shpejti do shihen nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit.
“Shumë shpejt do të shpërndajmë edhe 2500 kontejnerë të rinj, që do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave”, tha ai.
Nga ana tjetër, Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi”, mirëpriti këtë mbështetje, duke theksuar se kamionët e rinj do të kenë një ndikim të menjëhershëm në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Ne po i pranojmë gjashtë kamionë nga tetë sa janë në total. Fatmirësisht edhe ne si kompani kemi arritur ta rrisim numrin e kamionëve, ne tanimë i kemi blerë dhjetë dhe po presim edhe këta me u shtua dhe të kemi një shërbim sa më të mirë për qytetarët. Ne presim shumë shpejt me na u dhënë drita e gjelbër për shpërndarjen e kontejnerëve në mënyrë që të arrijmë të krijojmë atë shërbimin e kënaqshëm…Kamionët i kanë munguar shumë ndërmarrjes tonë ndër vite, fatmirësisht edhe kësaj pritje po besoj i erdhi fundi dhe sot prej ndërrimit të mbrëmjes kemi me arrit t’i shohim këta kamion në përdorim”, deklaroi Reçica.
Rikujtojmë se Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Pjesën e gjendjes së jashtëzakonshme akoma nuk e kam të qartë, por normalisht ne e kemi bërë reagimin tonë publik dhe i kemi shkruar edhe drejtorit përmes emailit, ende nuk e kemi të qartë në çfarë forme është shpallur kjo gjendje, sepse edhe ne jemi duke bërë matje në teren. Ne kemi pranuar vetëm të hënën në mëngjes komplet territorin dhe jemi duke bërë analiza sa ka pasur vonesa të shërbimit nga operatori privat sepse një gjë të tillë nuk e kemi pranuar zyrtarisht as nga operatori privat e as nga komuna”, tha ai.
Ky investim vjen në një kohë kur menaxhimi i mbeturinave në Prishtinë ka qenë një nga sfidat kryesore të qytetit, me kritika të shumta nga qytetarët për shërbimin joefikas dhe mbeturinat e grumbulluara në shumë lagje.