Komuna e Mitrovicës akuzon ish kryetarin për keqpërdorime, Kastrati e mohon

Komuna e Mitrovicës akuzon ish kryetarin e kësaj komunë, Avni KAstratin për keqpërdorim të parasë publike e ky i fundit mohon akuzat.

Lajme

13/03/2015 21:26

Komuna thotë se ai përdori kartelën kreditore të kryetarit të komunës edhe pasi dorëzoi mandatin e Kastrati e quajti të pavërtetë.

“Ish kryetari Kastrati e ka keqpërdor kartelën kreditore të kryetarit të komunës, me të cilën atyre, sipas ligjit, ju mundësohet që gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, të kryejnë pagesa për shpenzimet e bëra. Shkelja ligjore nga Kastrati është bërë pasi që ai këtë kredit-kartelë e ka keqpërdor dhe shpenzimet i ka bërë, pasi që i ka kaluar mandati ligjor si kryetar i komunës së Mitrovicës. Shuma e parave të keqpërdorura në mënyrë joligjore, vetëm në muajin janar 2014, është 630 euro. Avni Kastrati detyrën zyrtare të kryetarit të komunës, ia ka dorëzua fituesit Agim Bahtiri më 24.12.2014 dhe pas kësaj dite nuk ka pas kurrfarë të drejte ligjore për shfrytëzimin e kësaj kredit-kartele, sepse shfrytëzimi i saj pas kësaj dite paraqet vepër penale. Komuna do ta paraqes rastin tek organet e hetuesisë për shkak të shkeljes ligjore, në mënyrë që të ndërmerren masat e përgjegjësisë ndaj ish kryetarit të komunës, Avni Kastrati. Po ashtu, komuna është duke i përgatitur për opinion dhe organe të hetuesisë edhe shumë keqpërdorime të tjera marramendëse të parasë publike, që janë bërë në kohën e qeverisjes së Avni Kastratit”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Por Kastrati i kontaktuar nga KosovaPress, ka reaguar ashpër duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij.

Ai tha se për një gjë të tillë është informuar nga disa portale të caktuara ku është prezantuar një dokument, por që mund të jetë thjeshtë një manipulim, për shkak se aty nuk shihet data e saktë.

“Nuk është e mundur që unë kam shfrytëzuar kartelën ndonjëherë pas datës 24 dhjetor 2013. Nëse ekziston ndonjë dokument për këtë, edhe pse dyshoj, atëherë diçka e tillë mund të jetë regjistruar me vonesë në Komunë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, disa njerëz në komunë kanë dalë nga korniza e arsyes dhe vazhdojnë të shohin ëndrra me sy hapur.

Kastrati thotë se me harxhimet gjithçka ka përfunduar më 26 nëntor 2013, por sipas tij, evidencat regjistrohen një vit më vonë kur miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.