Komuna e Gjakovës shlyen 2.8 milion euro borxh i trashëguar nga qeverisja e AAK-së

Qeveria komunale e Gjakovës e drejtuar nga kryetarja Mimoza Kusari – Lila, ka arritur që të shlyej borxhe në vlerë rreth 2.8 milion euro, të trashëguara nga qeverisja e kaluar e AAK-së. 

Lajme

09/08/2014 19:45

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ka mbajtur një takim me bashkatdhetarët, të cilët jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, e të cilët po qëndrojnë në pushime. 

Në njoftim nga Komuna e Gjakovës thuhet se Kusari –Lila, bashkatdhetarët i ka njoftuar për zhvillimet në këtë komunë. Ajo i ka njoftuar për periudhën e qeverisjes së saj të deritanishme të këtij viti, ku sipas saj si komunë kanë arritur që nga borxhet e trashëguara të shlyhen rreth 2.8 milion euro. 

Ajo ka folur edhe për sfidat e të cilat, sipas saj janë të shumta në Komunën e Gjakovës. Ajo ka thënë se qeverisja e kaluar ka lënë shumë projekte të pa përfunduara. 

”Sfidat e qeverisë së re në Komunë janë nga më të ndryshmet dhe të shumta në numër, duke u nisur nga sfida për realizime të projekteve kapitale, borxhi i trashëguar nga ish qeverisja që pamundëson investime, projektet e nisura nga ish qeverisja e të cilat kanë ngelur të papërfunduara, e të tjera”, ka thënë ajo. 

Kusari –Lila ka thënë se në fokus kanë qenë edhe investimet aktuale në renovimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, për kulturën në përgjithësi, sportin, planifikimin për ambientin, hapësirat e gjelbërta, si dhe të tjera projekte të cilat disa prej tyre janë iniciuar dhe disa të tjera janë në planifikim, që kanë të bëjnë edhe me partneritetin publiko-privat. 

Ndërsa mërgimtarët kanë parashtruar kërkesa të ndryshme që kryesisht kanë pasur të bëjnë me rregullimin e ambientin, ndërtimet, si dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturë. 

Ndryshe gjatë këtij takimi mërgimtarët kanë dhënë vlerësime për punën e deritanishme dhe objektivat e shprehura nga kryetarja e Komunës, ku është falënderuar për investimet në renovimin dhe rikthimin e Galerisë së Arteve.