Komuna e Ferizajt: Nxënësit po bëjnë organizime të jashtëligjshme, s’mbajmë përgjegjësi
Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se nxënësit e shkollave në këtë komunë janë duke organizuar parambrëmje dhe organizime të tjera private dhe të jashtëligjshme.

Lajme
Sipas njoftimit të komunës, së fundmi nga nxënësit janë paralajmëruar disa organizime private dhe të jashtëligjshme, të cilat nuk janë institucionale andaj edhe nuk e kanë mbështetjen nga Drejtoria e Arsimit.
“Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, njofton opinionin publik, prindërit, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit si dhe nxënësit, se organizimet jashtë arsimore, të paralajmëruara së fundmi nga disa nxënës, të njohura si “parambrëmje e maturës”, janë organizime të jashtëligjshme, private, pra jo institucionale dhe si të tilla, nuk kanë mbështetjen dhe nuk janë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, as nga mësimdhënësit dhe as drejtuesit e shkollave. Rrjedhimisht, organizimet e tilla, bien në kundërshtim edhe me masat e veçanta të mbrojtjes nga pandemia COVID-19, përkatësisht pikën 24 të vendimit për masat mbrojtëse ndaj COVID-19”, thuhet në njoftimin e komunës, transmeton lajmi.net.
Komuna e Ferizajt i ka bërë të ditur prindërve se organizimet e tilla nuk janë institucionale, andaj institucionet e arsimit nuk bartin përgjegjësi për rrjedhën e këtyre ngjarjeve.
Komuna i ka bërë apel organeve të sigurisë dhe organeve zbatuese të masave anti-Covid, që të ndjekin nga afër dhe të veprojnë konform legjislacionit në fuqi lidhur me këto organizime.
Njoftimi i plotë:
Parambrëmjet e maturës, organizime private dhe të jashtëligjshme
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, njofton opinionin publik, prindërit, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit si dhe nxënësit, se organizimet jashtë arsimore, të paralajmëruara së fundmi nga disa nxënës, të njohura si “parambrëmje e maturës”, janë organizime të jashtëligjshme, private, pra jo institucionale dhe si të tilla, nuk kanë mbështetjen dhe nuk janë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, as nga mësimdhënësit dhe as drejtuesit e shkollave. Rrjedhimisht, organizimet e tilla, bien në kundërshtim edhe me masat e veçanta të mbrojtjes nga pandemia COVID-19, përkatësisht pikën 24 të vendimit për masat mbrojtëse ndaj COVID-19.
Pra, njoftojmë prindërit, se organizimet e tilla nuk janë organizime institucionale, rrjedhimisht institucionet lokale të arsimit, nuk bartin përgjegjësinë për rrjedhën e këtyre ngjarjeve. Tashmë, Drejtoria e Arsimit, pas identifikimit të organizatorëve, një grupi të nxënësve, ka njoftuar edhe drejtuesit e shkollave dhe organet shkollore që të bartin këtë mesazh tek nxënësit dhe prindërit.
Apelojmë tek organet e sigurisë dhe organet zbatuese të masave anti-covid, që të ndjekin nga afër dhe të veprojnë konform legjislacionit në fuqi lidhur me këto organizime.