Komuna dhe Gjimnazi nuk pajtohen për rrethojat

Udhëheqësit e gjimnazit Sami Frashëri, nuk e kanë pritur mirë vendimin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës për ti larguar rrethojat në oborrin e shkollës.

Lajme

21/01/2015 09:54

Vendimi i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës (DKA), për t’i larguar rrethojat në oborrin e gjimnazit Sami Frashëri, nuk i ka pëlqyer drejtorisë së kësaj shkolle.

Osman Beka drejtor i gjimnazit Sami Frashëri, thotë se nxënësit  janë të rrezikuar në atë pjesë dhe se vendimi i Komunës për të larguar ato rrethoja nuk është i mirë.

“Aty është bunari, është një fontanë dhe është rezervuari i naftës. Ne e kemi parë të arsyeshme, pasi që aty ka edhe rrymë tash, që fëmijët të mos rrezikohen dhe kemi pas bërë kërkesë në DKA që të rrethohet ajo pjesë”.

“Edhe DKA-ja e ka parë të arsyeshme që në vitin 2012 të rrethohet kjo pjesë për arsye që të mos rrezikohen fëmijët dhe të ketë një gjelbërim ashtu siç duhet ta kemi”, ka thënë Beka, shkruan Koha Ditore.

DKA-ja ka vlerësuar se me ato rrethoja nxënësve po u cenohet liria

Komuna e Prishtinës së bashku me drejtorinë e gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet, në vitin 2012, patën vendosur që të rrethojnë një pjesë të oborrit të shkollës, me arsyetimin se nxënësit e shkollës janë të rrezikuar.

Hapësira që ndodhet brenda oborrit të shkollës është rrethuar nga ish-qeverisja komunale, pasi që një kërkesë të tillë e ka bërë drejtoria e shkollës.