Kompanitë nga Shqipëria që fituan tender në Autostradën e Gjilanit ua shitën punën kundërligjshëm kompanive nga Kosova

Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit e quajtur si Autostrada A7. Kontratat e nënshkruara kapë vlerën 88,618,511.95. Mbi dyshime të mëdha për manipulim të tenderit është duke kryer hetime edhe Prokuroria Speciale.

Lajme

08/05/2019 15:01

Pas ikjes së ngricave, punimet në ndërtimin e autostradës kanë rifilluar. Fillimisht, punimet fillestare nisën në pranverë të vitit 2018, por, punën nuk e filluan të gjitha kompanitë që kishin lidhur kontratë më ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Lajmi.net ka mësuar se dy kompani nga Shqipëria “Gjoka Konstruksion” dhe një tjetër i shitën punët e tyre pas nënshkrimit të kontratave tek dy kompani nga Kosova.

Shitja e punëve është bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi asnjëra nga kompanitë blerëse nuk janë paraqitur në dosje të tenderit gjatë ofertimit.

Pas rivlerësimit të tenderit me urdhër të Organit Shqyrtues të Prokurimit, pjesën e dytë, e kishte fituar kompania “Gjoka Konstruksion” me një çmim prej  5 milionë e 906 mijë euro. Lajmi.net ka mësuar se menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, kjo kompani në mënyrë të kundërligjshme ia ka shitur punët kompanisë “KAG Asphalt”, e cila po ashtu ka fituar lotin IV për ndërtimin e autostradës, në konsorcium me kompaninë “Beni Com”.

Lajmi.net ka kërkuar një interpretim ligjorë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP. Ky institucion në përgjigjen e tyre konfirmon se shitja e punëve ka qenë e kundërligjshme, pasi siç thonë ata autoriteti kontraktues do të deklaron në Dosjen e Tenderit që OE-të duhet të tregojnë në tenderin e tyre çdo pjesë të kontratës që OE ka për qëllim të nënkontraktojë te palët e treta dhe secilin nënkontraktues të propozuar dhe secili nën-kontraktor i propozuar duhet te përmbush kërkesat e përshtatshmërisë dhe duhet të dorëzojë dëshmitë mbi përmbushjen e kërkesave të përshtatshmërisë. Këtë nuk e ka bërë asnjëra prej kompanive.

“Konform nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në të dhënat e shkresës suaj KRPP ofron interpretimin ligjor si në vijim: Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ Për Prokurim Publik neni 18.11, përcakton si ne vijim, citojmë: ” AK do të deklaron gjithashtu në Dosjen e Tenderit që OE-të duhet të tregojnë në tenderin e tyre çdo pjesë të kontratës që OE ka për qëllim të nënkontraktojë te palët e treta dhe secilin nënkontraktues të propozuar. Secili nen-kontraktor i propozuar duhet te përmbush kërkesat e përshtatshmërisë dhe duhet te dorëzojë dëshmitë mbi përmbushjen e kërkesave të përshtatshmërisë. Nënkontraktimi nuk bënë të tejkalojë 40% të vlerës totale të kontratës, ndërsa  i njëjti  nën-kontraktore mund të propozohet nga më shumë se një OE.” Ndërsa, ajo që ju parashtroni pyetjen se a lejohet që më pas, kompania t’ia shesë krejt punën një kompanie tjetër akoma pa filluar punimet, ndërkohë që është nënshkruar vetëm kontrata, kjo sipas LPP dhe as të akteve dytësore të prokurimit nuk lejohet”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për lajmi.net.

Lajmi.net ka mësuar se një kompani tjetër nga Shqipëria e cila është në konsorcium me një kompani kosovare ka shitur një pjesë të punëve tek një kompani tjetër kosovare.

Në fillim të muajit prill lajmi.net e ka dërguar në adresë të ministrisë së Infrastrukturës këto pyetje: “Kemi informacione se ka kompani që janë tërhequr nga projekti dhe ua kanë shitur punën kompanive tjera tjetër. Cilat janë ato kompani që janë tërhequr dhe cilave kompanive ua kanë shitur punët. Cila ka qenë arsyeja e tërheqjes se tyre. A është bërë tërheqja e tyre në harmoni me ligjin?”. Në lidhje me këtë zyra e informimit të nuk ka kthyer ende përgjigje.

Njëra kompani e pranon që ka blerë punët, tjetra jo

Lajmi.net ka drejtuar disa pyetje në adresë të kompanisë “Gjoka Konstruksion” në lidhje më këtë problem, por kjo kompani nuk kanë qenë e gatshme të përgjigjen.

Lajmi.net ka pranuar informata se kompania “Gjoka Konstruksion” ia ka shitur krejt punët kompanisë “KAG Asphalt”, por Mentor Ferati, jurist në kompaninë “KAG Asphalt” thotë se bëhet fjalë vetëm për punët fillestare.

“Nuk është e vërtet që na e ka shitur krejt punën kompania, ne kemi një marrëveshje për kryerjen e fazës së parë të punimeve, do me thënë gërmimin e dheut. Vetëm për këto kemi kontratë, ndërsa për punimet tjera do të vazhdojnë vetë”, tha Ferati për lajmi.net.

Megjithëkëtë, sipas KRPP-së edhe shitja e këtyre punëve është shkelje e rendë.

Ndërkohë, kompania “Gjoka Konstruksion” ka fituar edhe më parë tender në Kosovë, por nuk ka punuar asnjëherë.

Dyshime që “Gjoka Konstruksion” nënshkroi kontratat me ministrinë pa i plotësuar kushtet

Dhënia e tenderit rreth 100 milionë eurove për ndërtimin e autostradës A7 u bë publik në ditën e fundit të qeverisjes së kryeministrit, Isa Mustafa në vitin 2017. Më pas në qeverinë Haradinaj u ndërruan kompanitë kontraktuese pas disa ankesave që kompanitë patën në OSHP. Lajmi.net ka pranuar informacione të sakta që asnjëra prej kompanive në 8 lotet pas rivlerësimit nuk i plotëson kriteret sipas dosjes së tenderit. Megjithëkëtë, OSHP-ja i kishte dhënë të drejtë Ministrisë. Mbi këto dyshime Prokuroria është duke kryer hetimet edhe ndaj pjesëtarëve të OSHP-së, pos ndaj disa zyrtarëve të ministrisë.

Lexo edhe:

Prokuroria Speciale po heton tenderin multimilionësh të Autostradës së Gjilanit

Siç ka mësuar lajmi.net, për lot II që e kishte fituar “Gjoka Konstruksion”, e më pas i kishte shitur punët, Ministria gjatë vlerësimit të tenderit e kishte shkelur LPP dhe aktet e tjera nënligjore duke shpallur OE si të përgjegjshëm. Kompania nuk kishte prezantuar dëshmitë për Inxhinierin e komunikacionit me 5 vite përvojë pune siç është kërkuar në Fletën e të Dhënave të Tenderit (FTD). Po ashtu, kompania nuk kishte prezantuar dëshmitë për Inxhinierin e ndërtimtarisë drejtimin hidroteknikë siç ishte kërkuar inxhinier me  5 vite përvojë pune siç është kërkuar në (FTD), mirëpo kompania ka prezantuar diplomën e Erlin Koçiaj, e cila nuk i plotësonte kriteret e kërkuara pasi që ishte  Bachelor në Inxhinieri Hidroteknike, po ashtu pa përvojën e kërkuar, si dhe CV-ja nuk është e nënshkruar nga Erlin Koçiaj.

Ndërkohë tek kërkesat e kapacitetit profesional pika 9.1 dhe 9.2 / 1,2,3,4 dhe 5 OE përveç që nuk ka paraqitur dëshmitë të cilat plotësojnë kriteret sipas (FTD), i njëjti nuk ka paraqitur as diplomat e nostrifikuara për të cilat ministria Arsimit thotë që çdo diplomë e ardhur nga jashtë, në mënyrë që të jetë valide duhet të nostrifikohet pranë ministrisë së Arsimit. Nuk kishte prezantuar listën e pajisjeve siç është kërkuar në (FTD) të noterizuar nga noteri. Nuk kishte prezantuar bazën për prodhimin e asfaltit të licencuar ose marrëveshjen për furnizim me asfalt për të cilën është dashur të prezantohet edhe licenca nga Agjencioni për Miniera dhe Minerale. Nuk kishte prezantuar Gurëthyese në pronësi apo marrëveshje për furnizim me zhavor (agregat) për të cilën është dashur të prezantohet edhe licenca nga Agjencioni për Miniera dhe Minerale. Po ashtu, nuk kishte prezantuar bazën për prodhimin e betonit ose marrëveshjen për furnizim me beton për të cilën është dashur të prezantohet edhe licenca nga Agjencioni për Miniera dhe Minerale.

Këto fakte është duke i hetuar edhe Prokuroria. Ndërkohë, publiku nuk i ka mësuar asnjëherë se cilat janë kompanitë që fituan tender pas rivlerësimit të tenderit. Në ueb-faqen e KRPP-së, tek E-prokurimi akoma figurojë si fitues të tenderit kompanitë që ishin shpallur fitues nga administrata e LDK-së.

Ministria nuk ka publikuar asnjëherë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ për tenderin e Autostradës A7. Lajmi. net ka kërkuar një përgjigje edhe nga KRPP-ja lidhur më këtë çështje, por gojarisht ata kanë thëne se do të interesohen se pse nuk ka ‘njoftim për dhënie të kontratës’. /Lajmi.net/