lajmi.net

Kompania e Materieve të Rrezikshme të FSK-së trajnohet për filtrimin e ujit të kontaminuar

Kompania e Materieve të Rrezikshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses trajnimin për përdorimin e pajisjeve të avancuara për pastrimin e ujit të kontaminuar, një kapacitet kyç për reagim në situata emergjente natyrore apo njerëzore. Sipas njoftimit, pajisja e re për pastrimin e ujit “WTC-3000 GT është e dizajnuar për trajtim…

Lajme

09/12/2025 10:41

Kompania e Materieve të Rrezikshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses trajnimin për përdorimin e pajisjeve të avancuara për pastrimin e ujit të kontaminuar, një kapacitet kyç për reagim në situata emergjente natyrore apo njerëzore.

Sipas njoftimit, pajisja e re për pastrimin e ujit “WTC-3000 GT është e dizajnuar për trajtim dhe shpërndarje të ujit në rast të kontaminimit të tij nga ndonjë fatkeqësi natyrore apo njerëzore, me ç’rast uji kontaminohet dhe nuk është i sigurt për përdorim”.

Kjo pajisje konsiderohet një aset i rëndësishëm për FSK-në, pasi ka kapacitet të bëj trajtimin e ujit deri në 3000 litra në orë.

Në njoftim shpjegohet edhe mënyra e funksionimit të pajisjes, ku theksohet se WTC-3000 GT funksionon duke aplikuar presion të lartë mbi ujin e kontaminuar, i cili kalon nëpër membrana selektive përmes procesit të osmozës reverse.

Këto membrana garantojnë sigurinë e produktit final, pasi lejojnë vetëm molekulat e ujit të depërtojnë, ndërsa bllokojnë kripërat, metalet dhe ndotësit e tjerë, duke siguruar prodhim të ujit të pastër dhe të sigurt.

Përfundimi i këtij trajnimi forcon aftësitë operacionale të FSK-së në menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e popullatës në raste të ndotjes së ujit.