Komisioni Zgjedhor i Konfliktit

Debati ka degjeneruar deri në atë nivel, sa që në një moment anëtari i KQZ’së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i është drejtuar Valdete Dakës: “Ti veç je femër, se kurrë në jetën tënde nuk kishe guxu në këtë mënyrë me m'u drejtu”.

Lajme

24/09/2013 17:06

Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është ndërprerë pas një debati të ashpër ndërmjet kryesueses së këtij institucioni, Valdete Dakës, dhe përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemit.

Fillimisht, mbledhja ishte ndërprerë pasi anëtari i KQZ’së nga Lëvizja Vetëvendosje kishte insistuar që në rend të ditës të futej procesi i krijimit të listës së votuesve.

Kjo kërkesë ka ngjallur debat ndërmjet Rrustemit dhe Dakës, e cila ka braktisur mbledhjen, ndërkohë që Rrustemi ka vazhduar të qëndrojë në sallë edhe pas largimit të anëtarëve tjerë. Ai ka thënë se nuk do të largohet nga salla e KQZ’së derisa edhe anëtarët tjerë të vijnë për ta vazhduar mbledhjen.

Kur Daka ka kërkuar nga sigurimi që ta nxjerrin Rrustemin jashtë, ky i fundit ka refuzuar.

Debati ka degjeneruar deri aty, sa që në një moment Rrustemi iu ka drejtuar Dakës: “Ti veç je femër, se kurrë në jetën tënde nuk kishe guxu në këtë mënyrë me m’u drejtu”.

“Janë dy grupe kriminale që duan ta pengojnë procesin zgjedhor: serbët dhe Vetëvendosja”, është shprehur anëtari i KQZ’së nga PDK, Betim Gjoshi.

Valdete Daka ka thënë se do t’ia dërgojë Presidentes Atifete Jahjaga incizimet e mbledhjes me sjelljet e anëtarit të Vetëvendosjes.

Më pas, mbledhja ka vazhduar dhe janë miratuar disa rekomandime rreth procesit të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.