Komisioni për Shëndetësi prioritet personat me nevoja të veçanta

Deputetët e tri partive opozitare po vazhdojnë të bojkotojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Lajme

27/01/2016 16:35

Megjithatë, puna vazhdoi sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i cili shqyrtoi, dhe miratoi pastaj, raportin vjetor të punës për vitin 2015. Por, pa u miratuar mbeti plani i punës për këtë vit, transmeton lajmi.net.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia dhe anëtarët e Komisionit vlerësuan se në planin e punës për vitin 2016 duhet ndryshuar disa data, dhe shtuar edhe disa pika, ndër të cilat edhe monitorimi i barnave dhe listës esenciale.

Kryesuesja e komisionit, Flora Brovina, tha se ndër punët e para që do të bëjnë është të takohen me personat me aftësi të kufizuar, që me ta të diskutojnë lidhur me ligjin për aftësim, ri-aftësim profesional dhe punësim.

“Unë e di nga përvoja e kaluar në këtë komision, kur kemi vizituar qendrat për aftësime e ri-aftësime profesionale ka pas problem me llojet e profesioneve që ata aftësojnë. Dhe sot ka problem që personat e verbër, me çfarë profesioni aftësohen”, tha ajo.

Brovina propozoi që në kuadër të vizitave që kanë nëpër komuna, me qëllim monitorimi, këtë vit të zhvillojnë disa të tilla edhe në veri të Kosovës.

Me propozimin e saj që së shpejti të shkohet në veri të Mitrovicës, Shtërpcë dhe Graçanicë, të vizitojnë institucionet shëndetësore, u pajtuan edhe anëtarët tjerë të komisionit.

Anëtarët e komisionit u pajtuan që në mbledhjen e ardhshme të miratojnë planin e punës për këtë vit, për ndryshimet e së cilit u morën vesh sot. /kp