Komisioni për Legjislacion kërkon Ligjin për Amnisti

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion kanë kërkuar që Kosova të bëhet sa më parë me ligjin për amnisti. Këtë kërkesë ata po e bëjnë pasi kanë vizituar qendrën korrektuese në Dubravë.

Lajme

09/03/2015 17:21

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu ka thënë se vizita që anëtarët e këtij komisioni kishin bërë në katër pavijone të këtij institucioni, i ka bërë të kuptojnë më shumë për rëndësinë e një ligji për amnisti, dhe kërkesën e të burgosurve, për çka u tha se ishin jashtëzakonisht të njoftuar me ligjin dhe aktet nënligjore që prekin ata, që Kuvendi sa më parë të procedojë këtë ligj.

“Ajo çka kemi vërejtur në këtë vizitë është mungesa e ligjit për amnisti, pra të gjitha pavijonet që kemi vizituar kanë kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës ose Ministria e Drejtësisë të procedojë në Kuvend Ligjin për Amnisti. Ju e dini që të burgosurit për vite me radhë janë mashtruar nga Ministria e Drejtësisë, duke iu thënë se do ta procedojmë në Kuvend Ligjin për Amnisti”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, ekzistojnë edhe vërejtje të tjera, si ajo e panelit për liri dhe qasja jo serioze e këtij paneli, për çka të burgosurit kishin kërkuar legjislacion që brenda mundësive dhe fushëveprimtarisë sonë të ndërmarrim masa për funksionalizimin ose për ta vënë në përgjegjësi paneli për lirim me kusht.

Haxhiu ka thënë po ashtu se ka marrë një kërkesë nga një dëshmitar i mbrojtur, i vendosur në pavijonin D, i cili në një letër dërguar Komisionit ka kërkuar që ta vizitojnë këtë pavijon. Sipas Haxhiut, letra që ajo kishte marrë kishte qenë e hapur e jo në zarf, çka edhe e ka bërë atë të thotë se në këtë rast ka të bëjë me cenim të privatësisë.

Anëtari i këtij komisioni, Armend Zemaj ka thënë se ndonëse ka qenë vizitë e gjatë, nuk është arritur të vizitohen të gjitha pavijonet e kësaj qendre korrektuese, andaj kërkoi që sërish të vizitohen.

Ndërsa, Melihate Tërmkolli tha se gjendja është më e vështirë në realitet sesa që duket dhe sesa është paraqitur në këtë raport.

“Është e vërtetë se këtu kemi të bëjmë me njerëz që kanë kryer vepra të caktuara të ndryshme penale, e tjera, por në fund të fundit janë njerëz dhe duhet të trajtohen sipas rregullave dhe normave e konventave ndërkombëtare”, ka thënë Tërmkolli.

Në këtë komision po ashtu tha se kontrabanda që bëhet në këto burgje dhe qendra korrektuese, nuk mund të kryhen pa pasur bashkëpunim me njerëz të caktuar që kryejnë punë të caktuara në pushtet.

Ndërsa deputetja nga radhët e PDK-së Selvije Halimi, njëherit zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, i cila që nuk kishte qenë në vizitën e realizuar në Dubravë ka shtruar disa pyetjet lidhur me mos funksionimin si duhet të panelit për lirim, si dhe çështje të tjera.

“Mosfunksionimi i panelit, pse nuk po funksionon ky panel, fare parregullsish ka aty, dhe pse janë jo serioz, apo me një anshmëri bëjnë shqyrtimin e kërkesave . Mendoj q që duhet të kemi fakte më të detajuara. Pse mungon udhëzimi administrativ për rend shtëpiak kur ligjet nuk janë nxjerr dje, i kanë më shumë se një vjet. Mbajtja në paraburgim për më shumë se një vjet në pritje të rigjykimit, sa raste i kemi, e di që ka , është fakt, e di që ka, mirëpo unë e di që është një rast që është gjatë në pritje. Mirëpo nuk e di janë edhe pesë edhe dhjetë”, ka thënë Halimi.

Kryetarja e këtij komisioni ka thënë se subjekti që ajo përfaqëson ka paraqitur tetë amendamente ligjore për projektligjin nr 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konfliktet të armatosura jashtë territorit të vendit, e të cilat nuk janë miratuar nga komisioni për punë të brendshme, për çka Haxhiu paralajmëroj se të njëjtat sërish do t’i mbrojnë në seancën plenare.

“T’i identifikojmë dhe listojnë organizatat terroriste , t’i shpallin ato si të tilla, dhe pastaj nëpërmjet mjeteve dhe mekanizmave ligjore t’i luftojnë aktivitetin e tyre brenda Kosovës. Pra kjo është mënyra më e mirë se si luftohet puna e këtyre organizatave terroriste brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Shqyrtimi i këtij raporti u miratua me 6 vota për dhe një kundër, ndërsa vota e deputetes Tërmkolli u vendos që të shqyrtohet nga sekretaria e Kuvendit apo nga Komisioni për Legjislacion, Mandate , Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit . Po ashtu një pikë tjetër e rendit të ditës kishte të bënte diskutimin lidhur me veprimet e komisionit në raport me Agjencinë Kundër Korrupsion lidhur me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë të Agjencisë, për çka u kërkua nga anëtarët e komisionit që deri më 30 mars kur është edhe afati i fundit, të bëhen të ditura të gjitha raportet mbi prejardhjen e pasurisë nga të gjithë zyrtarët që iu nënshtrohen këtij procesi.

Po ashtu komisioni pas një debati të gjatë zgjodhi si anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësorë të Kosovës, Mazllum Baraliu në mënyrë unanime. Ndryshe Baraliu është kandidat edhe Avokatin e Popullit.

Një debat i nxehtë u zhvillua në mes të kryetares së komisionit Haxhiu dhe deputetes Tërmkolli, lidhur me atë se a ka të drejtë të votoj apo jo Tërmkolli, e cila deri më tani në këtë komision ka përfaqësuar AAK-në.

“ Haxhiu: A jeni deputete e LDK-se apo AAK-së?Unë jam anëtare e barabartë me të drejtë vote sikurse anëtarët e tjerë…Mirëpo ju jeni anëtare por pa të drejtë vote. Mirëpo kush po thotë?Që të tregoj tash unë: Rregullorja e punës së Kuvendit. LDK i ka tre përfaqësues në komisionin për legjislacion. Ende nuk ka vendim zyrtar për këtë komision. Deri në momentin kur ndërrohet në parlament bëhet një anëtar i ri i Aleancës, unë jam qetu, qetu më keni me të drejta të plota…Jo me të drejtë vote zonja Tërmkolli, tashmë jeni në LDK-në dhe jo në AAK. Ej a jemi parti këtu apo deputetet? Gjysma e deputetëve të LDK-së më kanë votu, oj çike!”. (KosovaPress)