Komisioni i Venecias pritet ta shqyrtojë çështjen e “vetting”-ut në Kosovë këtë javë

Komisioni i Venecias pritet ta mbajë seancën e 131-të plenare përgjatë së premtes dhe shtunës, ndërsa të enjten do të shqyrtohet edhe koncept-dokumenti për “vetting”-un në Kosovë, si dhe draft opinioni në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Paluajtshme.

Lajme

14/06/2022 10:13

Kështu bëhet e ditur në agjendën e Komisionit të Venecias, duke thënë se komisioni është ftuar të shkembejë mendimet me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Komisioni ftohet të shkëmbejë mendime me znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë së Kosovës, dhe të shqyrtojë, me qëllim të miratimit, draft opinionin (CDL(2022)020) (Sc/GiD/is) mbi Koncept Dokumentin për Vettingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe draft-amendamentet e Kushtetutës së Kosovës (CDL-REF(2022)023), i hartuar në bazë të komenteve të znj. McMorrow, z. Pinelli dhe z. Vilanova Trias. Ky opinion është kërkuar nga Ministri i Drejtësisë së Kosovës më 25 tetor 2021. Nënkomisionet për Sundimin e Ligjit, Gjyqësorin dhe Basenin e Mesdheut do ta shqyrtojnë këtë draft opinion në mbledhjen e tyre të përbashkët më 16 qershor 2022”, thuhet në agjendë.

Në të njëjtën ditë pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Paluajtshme, nga nënkomisionet për të Drejtat Themelore dhe Basenin Mesdhetar.

“Ky opinion është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës më 4 mars 2022. Nënkomisionet për të Drejtat Themelore dhe Basenin Mesdhetar do ta shqyrtojnë këtë draft opinion në mbledhjen e tyre të përbashkët më 16 qershor 2022”, njoftohet më tej.

Për çështjen e “vetting”-ut ka pasur rezerva edhe nga ana e faktorëve ndërkombëtarë. Sikurse BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja, e kanë parë si opsion të fundit “vetting”-un për reformat në drejtësi, duke thënë se duhet të shteren të gjitha opsionet e tjera juridike. /Lajmi.net/