Komisioni Evropian njofton se janë hequr disa nga masat ndaj Kosovës – kjo pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri

Komisioni Evropian i ka dërguar letër zëvendëskryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi se disa prej masave ndaj vendit tonë janë hequr. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman ka thënë në letër se masat janë hequr për projektet e lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë…

Lajme

16/12/2025 18:38

Komisioni Evropian i ka dërguar letër zëvendëskryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi se disa prej masave ndaj vendit tonë janë hequr.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman ka thënë në letër se masat janë hequr për projektet e lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro, transmeton lajmi.net.

Ky vendim vjen pas transferimit të pushtetit në katër komunat veriore, në mënyrë ligjore dhe të qetë.

Njoftimi i plotë nga Besnik Bislimi:

Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.
Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë./lajmi.net/